Janë bërë tre jet kur më 23 nëntor 2021 ndodhi një prej tragjedive më të mëdha në të cilën 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut humbën jetën në aksidentin e autobusit Besa Trans duke u kthyer prej Stambollit. Mrekullisht shpëtuan 7 udhëtarë.
Por edhe pas tre viteve nga kjo tragjedi familjarët e viktimave janë të pakënaqur nga drejtësia e RMV-së.
Pronari i “Besa Trans” është dënuar me një vit e tetë muaj burg për veprën e falsifikimit të dokumenteve për autobusin. Me gjobë prej 800.000 denarë është dënuar edhe kompania “Besa Trans” si person juridik, si dhe ndalim për marrjen e lejes për transport rrugor në afat prej katër vitesh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Si ndodhi gjithçka?
Më 18 nëntor 2021 (e enjte), katër autobusë të agjencisë “Besa Trans” prej Maqedonisë së Veriut janë nisur për ekskursion në Stamboll. Pas disa ditësh shëtitjesh, turistët në mbrëmjen e 22 nëntorit (e hënë) janë nisur për t’u kthyer në shtëpi. Autobusët, e kanë kaluar kufirin Turqi-Bullgari dhe kanë vazhduar rrugën për në Sofje.
23 nëntor 2021 (e martë), rreth orës 1.30 kanë ndaluar për pauzë të shkurtër në një pompë benzine në autostradën “Struma” në afërsi të Pernikut (rreth 580 kilometra pasi kanë udhëtuar prej Stambollit dhe rreth 30-35 kilometra afër Sofjes).
Rreth orës 2 autobusët kanë vazhduar rrugën, derisa pas orës 2, shoferi i autobusit me 52 udhëtarë, i cili ka qenë duke lëvizur i fundit (prej katër autobusët) e ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar duke goditur bankinën. Pas goditjes autobusi është bllokuar te bankinat dhe nuk kanë mundur të hapen dyert. Sipas dëshmitarëve fillimisht është dëgjuar shpërthim i fuqishëm prej pjesës së përparme të autobusit.
Pastaj, zjarri e ka kapluar pjesën tjetër të autobusit. Disa prej udhëtarëve kanë arritur që ta thyejnë dritaren e pasme dhe 7 prej tyre dalin prej autobusit. 45 të tjerë, fatkeqësisht kanë mbetur brenda, ndërkaq automjeti është djegur tërësisht për disa minuta.