Partia e ish kryeministrit, Bojko Borisov, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Bullgari të cilat u mbajtën të dielen. Sipas rezultateve preliminare, partia djathtiste GERB ka fituar 26.08 për qind të votave, në zgjedhjet e shtata që u mbajtën brenda katër viteve në Bullgari. Partia reformiste, Ne Vazhdojmë Ndryshimin, ka dalë e dyta me 14.76 për qind të votave ndërsa, Partia ultra-nacionaliste, Ringjallja, ka dalë e treta me 13.8 për qind të votave. Partia GERB, e cila pritet të formojë Qeverisë në koalicion me ndonjë parti tjetër, është anëtare e Partisë Popullore Evropiane, së bashku me VMRO – DPMNE-në, me çka kryeministri Hristijan Mickoski, në periudhën vijuese, pret dialogu më konstruktiv me Bullgarinë.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Ne jemi nga e njëjta familje – Partia Popullore Evropiane. E shoh se aty nëntë parti dhe koalicione do të hyjnë në Parlament. Do të ketë mozaik interesant në Parlamentin bullgar. Pres një qeveri prej më së paku tre partnerëve. Pa këto dy, nuk mund të formohet qeveria (GERB-SDS dhe Ndryshimet Vazhdojnë-Bullgaria Demokratike). Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat. Shpresojmë se do të ketë Qeveri dhe nuk do të ketë zgjedhje të teta me radhë dhe se do të mund të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë drejt BE-së”.
Bullgaria viteve të fundit është përballur me qeveri jostabile, që ka çuar në zgjedhje të shpeshta parlamentare. Kjo ka ndikuar edhe në raportet me Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në zgjidhjen e kontestit që kanë dy vendet në lidhje me çështjet e historisë e të cilat, kanë bllokuar procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut. Qeveria bullgare tashmë disa muaj funksionon me qeveri teknike, pasi pas zgjedhjeve të qershorit, partitë fituese nuk arritën që të formojnë qeveri. Autoritetet e vendit, janë optimist se pas formimit të qeverisë politike në shtetin fqinj, raportet të përmirësohen dhe palët të ulen në dialog për të gjetur një zgjidhje..