-0.2 C
Tetovo
E enjte, 21 Nëntor, 2024
BallinaLajmeAkademia e Shkencave të Shqiptarëve: VLEN fillon financimin komunal, BDI e konsideron...

Akademia e Shkencave të Shqiptarëve: VLEN fillon financimin komunal, BDI e konsideron si krijim të improvizuar

Më 27 korrik si një bombë u përhap lajmi se partneri në Qeveri, koalicioni “VLEN” do të mbështesë themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në vendin tonë. Mesazhi erdhi nga Tetova, ku në një takim me një grup profesorësh, udhëheqësit e “VLEN” thanë se ka ardhur koha që të tregohet kapaciteti intelektual i shqiptarëve në vend, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

“Nuk do të humbasim kohë, komunat që aktualisht udhëhiqen nga koalicioni ‘VLEN’ shprehën vullnetin për ta mbështetur. Ne do ju bëjmë thirrje të gjitha komunave që janë të interesuara ta mbështesin këtë akademi në fazën e parë, ta mbështesin dhe ndërkohë do të shohim për një zgjidhje institucionale, që ajo të financohet nga buxheti i shtetit”, tha kryetari i Lëvizjes Besa dhe kryetar i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami (27.07.2024)

Por jo vetëm ideja për financim nga shteti, por në përgjithësi themelimi i një akademie të dytë shtetërore të shkencave dhe arteve, paralelisht me ASHAM-in, nuk hasi në mbështetje nga partnerët e tjerë në koalicionin qeveritar. VMRO-DMNE dhe ZNAM thanë që tani nuk është koha për ndarje.

“Ne kemi një Akademi të Shkencave dhe të Arteve, në kuadër të asaj akademie janë mbledhur mendimi shkencor dhe shkencëtarë nga përkatësi të ndryshme etnike”, tha kryeministri Hristijan Mickoski (28.07.2024).

Sipas njoftimeve mosmarrëveshjet duhej të diskutoheshin në kuadër të koalicionit qeveritar. Për çfarë ranë dakord politikanët dhe deri ku është ideja për një akademi shqiptare?

Një zyrë e vogël në qendrën e vjetër tregtare “Llovec” në Tetovë – këtu ndodhet selia e shoqatës së qytetarëve me emër – Shoqata Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqiptarëve. Kështu janë regjistruar në Regjistrin Qendror në vitin 2022 kur u themelua si organizatë, pasi nuk u lejuan të regjistroheshin si Akademi.

Sekretari i shoqatës, Zeqir Kadriu, sqaron se qëllimi i tyre nuk ka qenë që të shkaktojnë tensione. Por, siç thotë ai, të merren me veprimtari shkencore që do të mbështetet financiarisht nga shteti.

“Ne dorëzuam dokumentacion për të qenë Akademi e Shkencave, jo për hir të ndonjë paraleleje, por që të kemi hapësirë dhe për shkak të mënyrës së punës. Unë mendoj se këtu nuk ka asgjë paralele. Paralele u quajt edhe kur u themelua Universiteti i Tetovës, por në shkencë asgjë nuk mund të jetë paralele. Ne jetojmë në këtë vend, mundohemi që ta japim kontributin tonë këtu“, thotë Zeqir Kadriu, sekretar i Shoqatës Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqiptarëve.

Në shoqatë janë aktivë rreth pesëmbëdhjetë anëtarë. Disa prej tyre kanë konkurruar për t’u bërë akademikë në ASHAM, por janë refuzuar. Pa bazë, thotë Kadriu, dhe pikërisht kjo i ka shtyrë të iniciojnë themelimin e një akademie të veçantë.

“Për shembull, profesor Avzi Mustafa. Ai ka konkurruar disa herë, por nuk u pranua. Profesor Tahir Zajazi, i cili është një shkencëtar i mirë dhe një njeri që ka tentuar të bëhet pjesë e ASHAM-it. Profesor Xheladin Murati, Hasan Jashari, e këto janë vetëm ata që i njoh unë. Ne po përpiqemi t’u shpjegojmë njerëzve se qëllimi nuk është që secili prej nesh të jetë aty apo të jemi aty me çdo kusht, por të shihen mundësitë, cilësia, vlerat dhe në fund të fundit të shohim se çfarë mund të kontribuojmë, sepse ne kemi punuar në arsimin e lartë për një kohë të gjatë dhe tani kemi ende mundësi të punojmë, pse të mos e shfrytëzojmë këtë“, shton Kadriu.

Shoqata akademike, për momentin, mbetet vetëm kaq – shoqatë e qytetarëve. Por ajo tashmë po merr ndihma nga fonde publike. Për zyrën në Tetovë i kanë ndihmuar komuna dhe kryetari Bilall Kasami.

Prandaj, kërkuam shpjegim në Komunën e Tetovës për atë se në çfarë baze e kanë dhënë ndihmën, nëse ka vendim dhe mundësisht edhe prokurim publik për këtë. Përgjigje nuk morëm.

Por është e sigurt që shoqata akademike do të marrë fonde edhe nga komunat e tjera duke filluar që nga viti që vjen. Të gjithë ato komuna udhëhiqen nga kuadro të koalicionit “VLEN” – Tetovë, Gostivar, Çair dhe Zhelinë. Në mesin e tyre komuna më e vogël është Zhelina. Për momentin nuk kanë një plan konkret se sa para planifikojnë të ndajnë për këtë iniciativë. Kryetari Blerim Sejdiu thotë se së shpejti do të kenë një takim me kryetarët e këshillave të komunave të tjera të udhëhequra nga kuadrot e “VLEN” dhe do të definojnë një metodologji.

“Nuk mund të themi konkretisht sepse më vonë gabimisht do të mendohet se po shkurtojmë fondet për arsimin apo kulturën, e gjëra të tilla. Pra, ne do të përcaktojmë se cilin zë do ta heqim për këtë vit, pasi i kemi prioritetet tona për secilin vit. Këtë vit kemi pasur prioritet infrastrukturën në rrugët lokale. Vitin e ardhshëm do të kemi prioritete të kombinuara me shkollat ​​dhe rrjetet e furnizimit me ujë. Tani do shohim se ç’mund të bëjmë me ato pjesë ku nuk do të investojmë ose nuk do të jenë prioritet, ne do të shkurtojmë nga ato zëra dhe do t’i rialokojmë dhe do t’i caktojmë fondet tona për këtë iniciativë”, thotë kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.

Në vendin tonë ka edhe komuna të tjera që udhëhiqen nga shqiptarë, por ato janë anëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim. Deri më tani, ata nuk e kanë mbështetur publikisht këtë iniciativë. Ne i pyetëm se si do të pozicionohen ata dhe BDI pas njoftimeve se kryetarët e komunave nga radhët e “VLEN”-it do ta mbështesin financiarisht Shoqatën Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqiptarëve.

Nga BDI janë të mendimit se në vendin tonë duhet të ketë një akademi, në të cilën do të ketë përfaqësim të drejtë.

“Në vend që të krijojmë krijime të improvizuara politike paralele, të financuara nga komunat, qëllimi ynë është që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut të jetë një institucion në të cilin shqiptarët do të kenë përfaqësim real dhe të drejtë. I financuar nga shteti, pra nga fondet tatimore të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe shqiptarët, ky institucion duhet ta pasqyrojë natyrën multietnike të vendit dhe të punojë në interes të të gjithë qytetarëve të tij“, thonë nga BDI-ja.

Ideja për një akademi të re dy muaj më parë ishte hedhur poshtë nga partnerët e koalicionit të “VLEN”-it në Qeveri – VMRO-DPMNE dhe ZNAM. Por krahas kësaj, kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendësi i tij nga “VLEN” Izet Mexhiti më pas publikisht thanë se mendimet e ndryshme për këtë temë do të diskutohen në kuadër të koalicionit qeveritar. E pyetëm edhe Qeverinë – për çfarë ranë dakord?

Sipas përgjigjes që morëm nga Sektori për marrëdhënie me publikun në Qeveri, partnerët e koalicionit, pavarësisht njoftimeve, deri më tani nuk kanë diskutuar për këtë temë.

“Kjo çështje nuk është e hapur si temë në koalicionin qeveritar. Qëndrimi është i qartë dhe është përsëritur disa herë nga kryeministri, se shkenca nuk e njeh përkatësinë etnike dhe se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë është vendi që bashkon të gjithë mendimin shkencor në vend dhe se ajo duhet të bashkohet, sepse në bashkim është e ardhmja“, thuhet në përgjigjen nga Qeveria.

Pavarësisht qëndrimit të prerë të VMRO-DPMNE-së kundër një akademie paralele me ASHAM-in, nga “VLEN” thonë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga iniciativa e premtuar në fushatën parazgjedhore. Kryetari i Alternativës, Zeqiria Ibrahimi, një nga katër subjektet që përbëjnë “VLEN”-in, thotë se kanë mjaft argumente për t’i bindur partnerët e koalicionit.

“Nuk kemi thënë se duam ta rrënojmë akademinë aktuale të ASHAM-it, por opinioni e di se ne shqiptarët kemi pothuajse njëmijë profesorë nëpër universitete – atë në Tetovë, UEJL, “Nënë Tereza”, e kemi vetëm një akademik në ASHAM. Mendoj se nuk jemi sqaruar aq sa duhet me partnerët tanë në qeveri. E di se çfarë qëndrimi kanë pasur, por mendoj se në të ardhmen do të gjejmë një gjuhë të përbashkët për këtë temë, sepse është akademi, jo ushtri. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se askush nuk do të humbasë nga kjo, por të gjithë do të kemi dobi,“ thotë Zeqiria Ibrahimi, kryetari i Alternativës, koalicioni “VLEN”.

Ibrahimi thotë se kanë edhe një propozim me të cilin do të mundësohet financim shtetëror i akademisë.

“Ose duhet ta ndryshojmë ligjin aktual për themelimin e ASHAM-it ose të miratojmë një ligj të ri për themelimin e një akademie për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe këtu do të parashihen mënyrat e funksionimit të asaj akademie“, shton Ibrahimi.

Përveç partive, ideja e një akademie të re nuk u pëlqeu as akademikëve. Nga ASHAM thanë se ekziston vetëm një akademi kombëtare që e përfaqëson shtetin. Dhe që nga themelimi e deri më sot, anëtarët e Akademisë janë pjesëtarë të popullit maqedonas, por edhe të bashkësive të tjera etnike – thanë nga ASHAM.

“Në dekadën e fundit në përbërjen e ASHAM-it ka pasur katër anëtarë me origjinë etnike shqiptare (nga të cilët në tre udhëheqësitë e njëpasnjëshme njëri ka qenë sekretar shkencor, ndërsa dy nënkryetarë të Akademisë, njëri prej të cilëve në udhëheqësinë aktuale), si dhe tre anëtarë jashtë nga grupi i punës,“ thanë nga ASHAM.

Opinionin e tyre në publik e ndanë edhe disa nga anëtarët shqiptarë të ASHAM-it. Akademiku Izet Zeqiri nuk e hodhi poshtë plotësisht idenë e një akademie shqiptare, por tha – “ASHAM është edhe e jona”, institucioni ka ndryshuar dhe duhet të vazhdojë lufta që ai të jetë për të gjithë qytetarët e vendit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments