4.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeVërshime në Tetovë: U bllokua furgoni me 11 pasagjerë, uji ka hyrë...

Vërshime në Tetovë: U bllokua furgoni me 11 pasagjerë, uji ka hyrë në disa shtëpi, janë mbyllur rrugë

Një furgon ishte bllokuar, uji ka përmbytur disa shtëpi, oborre dhe rrugë janë vërshuar nga shiu i dendur që sot bie në Tetovë. Për shkak të reshjeve intensive të shiut, zjarrfikësit pasditen e sotme kanë marrë një numër të rritur të thirrjeve nga qytetarët të cilët kanë pasur nevojë për ndihmën dhe ndërhyrjen e tyre, transmeton Portalb.mk.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë për të nxjerrë nga uji një furgon me 11 pasagjerë, i cili ishte i bllokuar në nënkalimimin në rrugën që të çon në fshatin Saraqinë. Katër zjarrfikës me një automjet kanë ndërhyrë që me litar të nxjerrin automjetin.

Reshjet intensive disa orëshe të shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në korsitë e bulevardit “Blagoja Toska” rreth rrethrrotullimit të fundit afër kazermës së Tetovës. Në këtë seksion policia ka drejtuar automjetet për të shkuar në rrugë të tjera.

Komandanti i njësitit zjarrfikës të Tetovës, Avni Ameti, tha për MIA-n se kanë intervenuar në fshatrat Reçicë e Vogël dhe Reçicë e Madhe, ku po nxirrej uji nga shtëpitë dhe oborret dhe bodrumet e tyre.

Situatë e rënduar kishte edhe në fshatin Zhelinë. Kryetari i Zhelinës, ka thënë që gjendja është nën kontroll.

QMK ka alarmuar për reshje të dendura shiu në Maqedoninë e Veriut

Qendra për Menaxhim me Krizat (QMK) ka paralajmëruar reshje të dendura shiu në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në pjesën perëndimore, duke u bazuar në paralajmërimet e Drejtorisë për punë hidrometeorologjike (DPHM).

“Nga DPHM njoftuar se nën ndikimin e aktiviteteve ciklonik, duke filluar nga orët e mbrëmjes, si dhe gjatë natës, priten reshje të shiut në gjithë territorin e vendit. Reshjet më të dendura pritet të jenë në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të vendit”, njoftuan nga QMK-ja.

Në orët e mbrëmjes, reshjet e shiut pritet të jenë mbi 40 l/m2. Në bazë të parashikimeve, Qendra paralajmëroi probleme kryesisht nga Mali Sharr, Korab, Deshat, Stogovë, Karaoman, Bistra dhe Jabllanicë, duke mos anashkaluar edhe vendbanimet e ndryshme në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë dhe Ohër.

Qendra vlerësoi se në këto qytete do të mund të ketë problem urbane pasi rrjeti atmosferik nuk ka kapacitet të mjaftueshëm, duke paralajmëruar rritje të nivelit të lumit, por nuk pritet dalja e tyre nga shtrati.

Drejtoria për punë hidrometeorologjike në orët e mbrëmjes njoftoi që më së shumti reshje ka pasur në Lazaropole (48 l/m2) dhe në Kodrën e Diellit (47 l/m2), ndërsa në qytetin e Tetovës reshjet në 12 orët e fundit kanë arritur sasinë prej 39 l/m2 .

Sa herë që ka shi të dendur Tetova dhe rrethina e saj kanë pasoja. Duke qenë se ndryshimet klimatike dhe kërcënimet nga reshjet e dendura të shiut edhe vërshimet tani më janë realitet, Portalb.mk në muajin maj u interesua nëse Tetova është e gatshme të përballet me to, si një rajon që disa herë e ka pësuar nga to. Komuna e Tetovës theksoi se janë të përkushtuar në këtë drejtim, por nuk dhanë ndonjë raport se çfarë bëjnë konkretisht. Njëkohësish, nga shoqëria civile thonë se duhet të kihet shumë kujdes në këtë drejtim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments