7.8 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeLibrat e vjetër në gjuhën osmane, pasuri e rrallë e Bibliotekës Kombëtare...

Librat e vjetër në gjuhën osmane, pasuri e rrallë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë që drejtohet nga një gostivaras(video)

Përgjegjësi i sallës orientale pranë Qendrës “Sotir Kolea” në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Hisen Sulejmani, për Anadolu tregon se 60 për qind të librave në sallën orientale janë në gjuhën osmane dhe janë të fushave të ndryshme

Tiranë

TIRANË (AA) – FATJON CUKA – Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (BKSH) është një institucion që ka një historik mbi 100-vjeçar dhe sot pjesë e saj janë botime dhe koleksione të rralla të fushave të ndryshme dhe që kanë një interes të lartë për studiuesit dhe lexuesit e moshave të ndryshme.

Si institucioni i pari shtetëror në fushën e kulturës, BKSH është themeluar më 10 korrik 1920, ndërkohë aktualisht ka në fondet e saj mbi 1 milion koleksione, ku përfshihen libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma dhe materiale të tjera.

Pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë është edhe Qendra “Sotir Kolea”, e hapur për publikun që prej korrikut 2023 me librat saj të vjetër dhe të rrallë. Qendra është e ndarë në disa salla, si salla orientale, angleze, gjermane, salla latino-greke, italiane, franceze, ajo e letërsisë klasike ruse dhe ambiente të tjera.

Librat e kësaj qendre janë hapur për herë të parë për publikun pas shumë dekadash, pasi gjatë regjimit komunist në Shqipëri kanë qenë të sekuestruar dhe të ndaluar për publikun dhe studiuesit, për shkak të politikave që ndiqte regjimi komunist mbi shkrimtarë të caktuar apo ngjarje të ndryshme.

– Salla orientale ka 4.526 libra, shumica prej të cilave janë në gjuhën osmane

Përgjegjësi i sallës orientale pranë Qendrës “Sotir Kolea” në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Hisen Sulejmani, për Anadolu tregon se 60 për qind të librave në sallën orientale janë në gjuhën osmane.

Botimet e sallës orientale janë të fushave të ndryshme, si nga fusha e jurisprudencës, letërsisë, historisë, gjeografisë, arkitekturës, ushtarake, fetare, si dhe fjalorë dhe dorëshkrime.

“Salla orientale ka 4.526 libra apo njësi që u themi ne, të cilat janë në disa gjuhë. Kemi në gjuhën osmane, perse, në arabisht dhe kemi gjithashtu në gjuhën e re turke. Përveç kësaj, kemi edhe disa libra të veçantë që janë në gjuhën angleze mbi botën e Lindjes së Mesme ose orientale”, thekson Sulejmani.

Më të veçanta, tregon ai, janë dorëshkrimet dhe antikuarët që mund të jenë bërë në Shqipëri, Istanbul ose në vende të tjera dhe sot janë si dorëshkrime të rralla nën ombrellën e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

“Ky fond ka qenë. Këto libra që janë këtu kanë qenë të sekuestruar ose të depozituar. Mund të kenë qenë të sekuestruar nga komunitetet (fetare), personalë (biblioteka personale), nga shkolla të ndryshme. Mund të kenë qenë dhe libra personalë të dhuruar. Sot janë rihapur për publikun dhe për të gjithë hulumtuesit shkencorë”, tregon ndër të tjera Sulejmani.

– Ndër librat më të vjetër, Tefsiri i Kuranit që i përket afërsisht vitit 1576

Librat më të vjetër të qendrës i përkasin periudhës midis shekujve 16-17-të që emërtohen ndryshe antikuarë, ndërkohë disa botime të vjetra janë ende në proces vlerësimi dhe verifikimi për vjetërisë e tyre, si dhe në proces restaurimi.

Sulejmani veçon ndër librat më të vjetër të sallës orientale Tefsiri i Kuranit që i përket afërsisht vitit 1576 si dorëshkrim i vjetër dhe i përgatitur në Istanbul, që përfshin ajete kuranore në arabisht dhe shpjegimet e tyre në gjuhën osmane.

Pjesë e koleksionit të qendrës janë edhe dorëshkrime të ndryshme personale apo të tjera, ku Sulejmani veçon një fletore personale xhepi (Xhong) që, sipas tij, i përket vitit 1821, dhe ku janë hedhur poezi të vjetra turke dhe fjalor.

Një ndër librat e veçantë të qendrës që ai e potencon, është edhe “Salname-i Devleti Alije Osmanije”, i cili është i larë me ar dhe me një kapak të veçantë prej lëkure të vitit 1905, ku janë përfshirë përmbledhje të vendimeve dhe ngjarjeve të ndryshme të Shtetit Osman për atë vit.

– Veprat e shkrimtarëve shqiptarë gjithashtu pjesë e sallës orientale

Një vend të veçantë të koleksionit të botimeve në gjuhën osmane zënë edhe shkrimet dhe veprat e shqiptarëve, ku spikasin veprat e Sami Frashërit.

Sulejmani tregon se në sallën orientale kanë 80 për qind të veprave të Sami Frashërit që janë botimet e para origjinale, duke theksuar: “Kemi Kamus al alam i botuar më 1891”, duke iu referuar enciklopedisë me disa vëllime të Sami Frashërit.

Ai gjithashtu thotë se në sallën orientale gjenden edhe revistat në të cilat kanë shkruar shqiptarët apo shkrimtarët me prejardhje nga rajoni, si Mehmet Akif Ersoy.

Ai thekson se në botimet e vjetra që posedon qendra, rëndësi i është kushtuar edhe kaligrafisë dhe zbukurimit të shkrimeve, ku përfshihen edhe librat të larë me ar.

Pranë Qendrës “Sotir Kolea” është edhe sektori i restaurimit dhe mirëmbajtjes së librit, ku janë restauruar botimet e vjetra, ndërkohë disa botime aktualisht janë në proces restaurimi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments