0.4 C
Tetovo
E shtunë, 30 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaStoltenberg: Vendet e NATO-s duhet të jenë të gatshme “ta paguajnë çmimin”...

Stoltenberg: Vendet e NATO-s duhet të jenë të gatshme “ta paguajnë çmimin” për paqe

 Në fjalën e lamtumirës së tij pasi e udhëhoqi NATO-n për një dekadë, Jens Stoltenberg i paralajmëroi vendet anëtare të NATO-s të jenë të bashkuara dhe tha se ato duhet patjetër “të jenë të gatshme ta paguajnë çmimin për paqe” përballë një Rusie të guximshme.

Duk folur në selinë e NATO-s në Bruksel më 19 shtator, Stoltenberg shpalosi të arriturat prej se e mori drejtimin e aleancës më 2014, si dhe sfidat e tanishme.

“Lajmi i mirë është se ne e kemi përmbushur zotimin e dhënë para 10 vjetëve [që vendet anëtare t’i shpenzojnë 2 për qind të GDP-së së tyre për mbrojtjen], por lajmi i keq është se kjo nuk mjafton më”, tha Stoltenberg, duke lënë të kuptohet se caku i shpenzimeve prej 2 për qind nuk do të mjaftojë për ta mbrojtur aleancën kundër Rusisë.

“Ne duhet të jemi të gatshëm ta paguajmë çmimin për paqe. Më shumë të holla, mbrojtje më të forta, sa më efikase mbrojtja jonë, aq më e madhe siguria jonë”, tha ai.

Norvegjezi 65-vjeçar i paralajmëroi vendet anëtare të mos “i këmbejnë interesat ekonomike afatshkurtër për nevojat afatgjate të sigurisë”, duke thënë se “proteksionizmi kundër aleatëve nuk e mbron sigurinë tonë”.

Duke folur për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka shkaktuar mospajtime mes disa anëtarëve që kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen e fortë të NATO-s për Kievin, Stoltenberg tha se “Ukraina duhet të përballet me Rusinë nga një pozicion i fuqishëm”.

Çdo marrëveshje e ardhshme për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë, ai tha, “duhet të mbështetet nga një përkrahje e fortë dhe e qëndrueshme ushtarake, jo thjesht nga letrat”.

Ai, gjithashtu, paralajmëroi se “fuqia ushtarake ka kufijtë e saj,” duke thënë se “qëllimi i çdo operacioni të ardhshëm ushtarak jashtë territorit të NATO-s duhet të jetë i përcaktuar qartë”.

“Ne duhet të jemi të sinqertë për atë që mund dhe nuk mund ta arrijmë,” tha ai.

Stoltenberg, ish-kryeministër i Norvegjisë, i cili do të kthehet në atdhe për t’u bërë guvernator i Bankës Qendrore, do t’ia dorëzojë detyrën ish-kryeministrit holandez, Mark Rutte, më 1 tetor.

Në muajt e tij të fundit në detyrë, Stoltenberg është përpjekur t’i bashkojë anëtarët e NATO-s, pasi Hungaria ka paraqitur pengesa për mbështetjen e aleancës për Ukrainën, ndërsa kryeministri Viktor Orban ka thënë se nuk do të ofrojë fonde apo pajisje ushtarake për ta ndihmuar Kievin./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments