Policia e Kosovës ka njoftuar se në dy lokacione në veri të Mitrovicës janë mbajtur protesta mëngjesin e së hënës.
Sipas njoftimit, protestat kanë nisur në orët e hershme të mëngjesit, dhe policia kishte marrë masat e nevojshme për të siguruar rendin dhe qetësinë publike.
Edhe pse protestat nuk ishin të paralajmëruara më parë, Policia e Kosovës ka theksuar se respekton të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve dhe protestave të qeta, sipas ligjit mbi tubimet publike.“Policia e Kosovës, edhe pse protestat kanë qenë të paparalajmëruara, sipas ligjit mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta, dhe sipas detyrës zyrtare angazhohet që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe protestuesit, në mënyrë që mbarëvajtja e protestave të kalojë e qetë dhe pa incidente”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Rreth orës 08:45, protestat përfunduan pa incidente dhe protestuesit u shpërndanë pa ndonjë problem të evidentuar.