TIRANË- Rënia e shpejtë e numrit të nxënësve ka ndikuar në mbylljen e një së katërtës së shkollave 9-vjeçare në rang vendi, referojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Nga viti shkollor 2012-2013 në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar në të gjithë vendin duke e çuar numrin total të tyre Në 1051 nga 1346 që ishte në vitin 2013. Mbyllja e shkollave ka ardhur në raport të drejtë me rënien e nxënësve, pasi nga 2011 më 2023, INSTAT referon se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%.
Zonat rurale kryesojnë me mbylljen e shkollave, pasi numri i fëmijëve është pakësuar ndjeshëm. Mirëpo mbyllja e shkollave në zonat rurale të vendit është bërë shkak për emigrimin e mëtejshëm e atyre pak familjeve me fëmijë të vegjël. Që nga viti 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 8-9-vjeçare në rang vendi. Arsimi bazë nga klasa e parë deri në të nëntën me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë nga mosha 6 vjeç deri në moshën 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj.
Arsimi Bazë përfshin: Arsimin Fillor (klasat 1-5) dhe Arsimin e Mesëm i Ulët (klasat 6 -9). Arsimi fillor përbëhet nga pesë klasa, nga klasa i deri në klasën V. Ndërsa arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga katër klasa, nga klasa VI deri në klasën IX. Mosha e nxënësve është 12-15 vjeç. Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit, ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD-së jepnin në atë kohë.
Por gjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% të PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara ka dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit. Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm dhe tani po përballet me një tkurrje të fortë që nuk po ndikon në rritjen e cilësisë së nxënësve të mbetur. Vendi ynë shënoi rënien më të madhe globale në rezultatet e Testit global PISA 2022.
Mësuesit pohojnë se reformat e në arsim më vitet e fundit kanë rritur barrën rregullatore dhe ngarkesën e mësuesve që nuk ka lidhje në mënyrë të drepërdrejtë me mësimdhënien. Ndryshimi i kurrikulës, përdorimi i gabuar i teknologjisë, mungesa e motivimit për mësuesit, rënia e nivelit profesional të mësuesve, notat fiktive anë disa nga shkaktarët e rezultateve të dobëta.
Teksa niveli i mësuesve të rinj është më i dobët. Financimet e ulëta për arsimin dhe sidomos pagat e ulëta të mësuesve po çojnë gjithnjë e më shumë nxënës, studentë të dobët, në degët e mësuesisë, duke vënë në diskutim cilësinë e arsimit në vijim./Monitor