Edhe përkundër faktit që tregu i punës kërkon më shumë kuadër të fushës së drejtimeve deficitare, për këtë vit akademik fokusi i studentëve është tek shkencat shoqërore, njofton rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Izet Zeqiri. Ai njoftoi se në këtë universitet të ri, nga 1.800 vende të lira, aktualisht kanë aplikuar rreth 600 studentë, ndërsa risi është drejtimi i psikologjisë.
“Gjithsej janë 1.800 vende të lira. Si risi është se kemi pasur 5 fakultete, 40 programe studimore. Vitin e kaluar ka startuar 3 fakultete të reja të themeluara nga Kuvendi. Sivjet kemi akredituar edhe një drejtim të psikologjisë.”, – deklaroi rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Izet Zeqiri.
Procesi i aplikimit të studentëve po zhvillohet në të gjitha universitetet e vendit. Më pas vijon publikimi i listës së studentëve të pranuar dhe të pranuarit duhet të regjistrojnë semestrin e parë, me të cilin do të marrin statusin studentë.