Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, në një intervistë për “Fokus”, ka folur për pjesëmarrjen e tij në një dasmë në Kosovë me veturë zyrtare, e cila u përfol shumë në opinion. Gashi tha se me ligj është i obliguar që të jetë i siguruar vazhdimisht, qoftë edhe gjatë udhëtimeve private.
“Ka pasur pretendime të pabazuara se kam keqpërdorur automjetet zyrtare, pavarësisht se me ligj jam i obliguar që të jem i siguruar vazhdimisht si gjatë kryerjes së detyrës zyrtare ashtu edhe gjatë udhëtimeve private. Kur këto pretendime shihen të veçuara, ato mund të duken se janë thjesht tendenca për shpifjen e incidenteve. Megjithatë, unë besoj se ato janë simptoma të një çështjeje më të thellë që është prezente prej vitesh”.
“E gjithë kjo më jep të drejtën të kuptoj se kjo situatë nuk është rezultat i një përpjekjeje të qëllimshme për të denigruar apo mosnjohje elementare e gjërave për çështje kaq të thjeshta, aq sa është rezultat i një rezistence të paprecedentë për të pranuar një profil të ndryshëm të kryetarit të Kuvendit, i cili pas 22 vitesh promovon vlera të ndryshme nga ato që ishin më parë. Fatkeqësisht, periudha e tyre përfundoi më 8 maj”, thotë Gashi.
Ai shton se misioni i tij politik ka qenë gjithmonë të tregojë se, siç thotë ai, vendin mund ta udhëheqin individë profesionistë, kompetentë, të kualifikuar dhe të mirëarsimuar. Njëkohësisht ai tregon se gjatë tre muajve që ka qenë në këtë detyrë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ngritjen dhe funksionalizimin e infrastrukturës parlamentare të Kuvendit.
“Zgjedhja ime kryetar i Kuvendit u mbështet nga të gjithë partnerët e koalicionit dhe integriteti im profesional është diçka për të cilën jam krenar, pavarësisht nëse të gjithë e vlerësojnë. Problemi që kanë disa qarqe nuk është te kualifikimet e mia, por te fakti që unë përfaqësoj një profil të ri të postit në këtë vend. Si kryetar i Kuvendit kam një të kaluar si jurist, redaktor, aktivist civil shumëvjeçare dhe përvojë politike dhjetëvjeçare”, tha Afrim Gashi kryetar i Kuvendit në RMV