Shndërrimi i Sazanit në një ishull me resorte elitare do të kushtojë 930 mln euro. Investimi do të bëhet nga Jared Kushner, dhëndri i kandidatit republikan për president, Donald Trump, i cili planifikon të ndërtojë aty një bllok vilash dhe një hotel të brandit Aman.
Por tashmë me garancitë që ka marrë Kushner, vilat do të ndërtohen në shpatin e thyer me shkëmbinj të ishullit, ndërsa hoteli do të administrohet nga marka Aman, klientët e së cilës përfshijnë Mark Zuckerberg, Bill Gates dhe Kardashians. Këto informcione dalin nga Agjencia e lajmeve Bloomberg, në SHBA, ku vetë sipërmarrësi Kushner është shprehur entuziast për potencialin e ishullit shqiptar.
Që nga viti 2021, ai ka qenë disa herë në Shqipëri, herën e fundit në qershor, së bashku me bashkëshorten e tij, Ivanka Trump. Çifti fluturoi drejt Ballkanit me avion privat dhe udhëtoi me helikopter.
Vetë Ministria shqiptare e Turizmit, e ka konfirmuar se ka marrë një projekt amerikan për zhvillimin e ishullit të Sazanit.
Ishulli me sipërfaqe 566 hektarë, është kërkuar edhe më herët për qëllime investimi, por të gjitha projektet janë kthyer mbrapsht, nga qeveritë.