Mathew Palmer, përfaqësuesi speciale i sekretarit amerikan të shtetit deklaroi se ka ardhur sot në Shkup për të përcjellë mbështetjen e SHBA-ve për Maqedoninë e Veriut. Ai këtë e bëri të ditur pas takimit që pati me ministrin e jashtëm Nikola Dimitrov, përcjellë INA. “Është kënaqësi që sërish jam në Shkup, të takoj miqtë e mi dhe të bisedojë për zhvillimet e fundit në rajon, në Evropë”, theksoi Palmer. Ai tha se gjatë këtij turneu ballkanik do të vizitojë Prishtinën, Beogradin dhe Athinën. “Kam ardhur pasi që kemi ratifikuar Protokollin për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO, dhe pas vizitës së sekretarit amerikan Mike Pompeo. Kam ardhur për të konfirmuar përkrahjen e fuqishme të SHBA-ve për Maqedoninë e Veriut, rrugëtimin e saj evropian dhe perspektivën evropiane”, theksoi Palmer, i cili më pas ka takuar zv/kryeministren dhe ministren e mbrojtjes, Radmil Sekerinska si dhe presidentin Stevo Pendarovski.