Vjeshta e vitit 2020 dhe prilli i vitit 2021 janë dy terminet e mundshme për realizimin e regjistrimit të popullsisë, operacion ky që u prolongua për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kryeministri Zoran Zaev, nënvizoi se do të respektohen sugjerimet e Entit Shtetëror të Statistikave dhe se është me rëndësi që të sillet ligji për regjistrim.
Zoran Zaev, kryeministër
“Është shumë e rëndësishme që deri në fund të vitit ta sjellim këtë ligj. Se a do të ketë regjistrim në 2020-tën, apo 2021-tën, ligjin duhet dhe do ta sjellim. Ambasadori Zhbogar bëri apel që para së gjithash duhet të sillet ligji dhe vendimi. E dini që edhe opozita ka pasur vërejtje, që të mos bëhet regjistrimi. Ne vendosëm në mënyrë konsenzuale që zgjedhjet të jenë në prill të këtij viti, kështu e humbin pranverën për realizim të regjistrimit. Këto ditë pres një analizë profesionale nga Enti për Statistikë, që ta prezantoj të njejtën në Qeveri, se si i shohin mundësitë për realizimin e regjistrimit. Njëri opsion është vjeshta e 2020-tës dhe tjetri opsion prolongimi për 2021-tën”
Përndryshe, Enti Shtetëror i Statistikave propozoi sot që Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut të bëhet në prill të 2021, ndërsa Ligji për regjistrim të miratohet para formimit të Qeverisë teknike.
Enti Shtetëror i Statistikave
“Në përputhje me praktikën ndërkombëtare, aktivitetet për regjistrim dhe për zgjedhje nuk mund të zhvillohet paralelisht, duke pasur parasysh se janë caktuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill të vitit 2020. Për shkak të kësaj, ESHS theksoi se do t’i propozojë Ministrisë së Drejtësisë si propozues e ligjit që të prolongojë realizimin e operacionit të regjistrimit për në prill të 2021, ndërsa ligji të miratohet para formimit të Qeverisë teknike, gjegjësisht deri në fund të këtij viti”
Regjistrimi i popullsisë ishte caktuar për në prill të vitit 2020, por për shkak të zgjedhjeve dhe reagimeve të opozitës, ky operacion për numërimin e popullsisë dhe amvisërive në vend, tanimë është prologuar. Ky operacion ishte paraparë që të kushtojë 8,5 milionë euro dhe të realizohej në rrugë elektronike dhe me regjistrues në terren.A