Për nesër është caktuar seanca konstituive e Kuvendit, në të cilën do të verifikohen mandatet e përbërjes së re parlamentare. Sipas Rregullores do të kryesohet nga deputetja më e vjetër, ndërsa në përbërjen e sapozgjedhur do të jetë deputetja Merita Kollçi Koxhaxhaku. Është e sigurt se në kolltukë do të ulen 119 përfaqësuesit e popullit që kanë marrë certifikatat. Nëse nuk ka ndryshime pas marrjes së kundërshtimeve në KSHZ, pas rivotimit nuk do të ketë ndryshime në mandatet e deputetëve, transmeton Portalb.mk.
Kjo seancë e parë e deputetëve të sapozgjedhur mund të zgjasë deri në tri ditë, pas së cilës zgjidhet kryetari i Kuvendit. Në këtë mënyrë nxirret shumica e re në Parlament, e cila kërkon 61 deputetë nga gjithsej 120 mandate deputetësh.
Pas rivotimit të disa vendvotimeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet fillestare të ndryshuara, sipas të cilave koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të ketë 58 deputetë, VLEN 14 deputetë, LSDM me 18 mandate dhe koalicioni i udhëhequr nga BDI edhe 18 mandate. ZNAM dhe Levica e Maksim Dimitrievskit kanë nga 6 mandate parlamentare. Do të ketë edhe diskutime pas kundërshtimit të BDI-së për vendvotimin në Zhelinë.
Për zgjedhjet parlamentare, Maqedonia është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe nga secila prej tyre hyjnë 20 deputetë, ku sipas të ashtuquajturit modeli Dont, përllogaritet se cila parti sa sa mandate deputetësh do të marrë.