3.7 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaSportMe 12 prill prezantohet projekti për stadiumin e Tetovës, kontrata është nënshkruar...

Me 12 prill prezantohet projekti për stadiumin e Tetovës, kontrata është nënshkruar (Dokument)

Të premten me 12 prill në ora 17:00 në stadiumin e qytetit në Tetovë do të prezantohet projekti për stadiumin e Tetovës, të cilin qytetarët e presin me vite të tëra, shkruan Portalb.mk.

Lajmin e bëri të diture kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami.

“Dita erdhi! Stadiumi po bëhet! Të premten, me 12 prill, me fillim nga ora 17:00, me koncert madhështor nën përcjellje të muzikës së pastër shqipe të ELITA 5 dhe Aida Doçit, bashkërisht do të prezantojmë projektin e stadiumit të qytetit tonë”, tha Kasami.

Kontrata për stadiumin e qytetit u nënshkrua me 18.03.2024 nga ana e NP ‘Tetova Transport’ dhe Shoqërisë për tregti dhe shërbime ‘E-Property’, pronar i së cilës sipas të dhënave që Portalb.mk siguroi nga Regjistri Qendror është Nazif Destani, djali i biznesmenit, Lazim Destani.

Vlera e kontratës së punimeve është 599.931.520 denarë (rreth 9.7 milionë euro), ndërsa vlera e TVSH-së është e shprehur veçmas në vlerë prej 107.987.673 denarë.

Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.

Sipas kontratës, punimet duhet të mbarojnë brenda tre viteve nga data e hyrjes në punë të kontraktuesit pas lidhjes së kontratës.

Nga ana tjetër, Këshilli i Komunës së Tetovës me 15 mars 2023 ka sjellë vendim me të cilin jep garanci për realizimin e Projektit ‘Ndërtimi dhe rikonstruimi i objekteve sportive’ i cili menaxhohet nga ana e NP ‘Tetova Transport Tetovë’ se nëse gjatë realizimit të projektit kapital paraqiten rreziqe financiare të cilat nuk mund t’i mbulojë NP ‘Tetova Transport’, në rast të tillë Komuna e Tetovës do t’i marrë obligimet të cilat burojnë nga marrëveshja e nënshkruar.

Portalb.mk ka siguruar kontratën e plotë.

Në lidhje me atë se me çfarë mjetesh do të bëhet ky projekt, Kasami ka deklaruar se do bëhet me para të komunës, të cilat do sigurohen nga të hyrat e komunës prej pagesave të qytetarëve, ai theksoi se nuk është paraparë ndonjë hua. Megjithatë Komuna e Tetovës është në gjendje të rënduar financiare me borxhe.

Tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit u hap me 22 nëntor 2023, ndërsa për të njëjtin janë bërë një maratonë premtimesh.

Kryetari i Komunës së Tetovës gjatë vitit 2023 ka deklaruar disa herë për rikonstruimin e stadiumit, në nëntortetorkorrik dhe maj. Edhe vitin 2022 disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti. Rikonstruimin Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, skuadra e qytetit “Shkëndija” ndeshjet evropiane i luan në Shkup.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments