Do të ishte gabim katastrofik nëse shfuqizohet softueri që mundëson punësime në bazë të etnitetit, i quajtur shkurt “Balanser”, kështu vlerëson Avokati i Popullit, Naser Ziberi, në lidhje me debatin i cili po zhvillohet një kohë të gjatë, nëse ky mjet duhet të hiqet për shkak të keqpërdorimit.
“Unë shpesh herë kam zhvilluar debat publik se keqpërdorimet nuk mund të jenë argument për eliminimin e këtij përcaktimi, sepse do të ishte gabim katastrofik. Deri në vitin 2001 e kemi pasur atë situatë dhe gjendja ka qenë katastrofike, ne me garanci të këtilla kushtetuese dhe juridike po kemi problem e jo më me eliminimin e atij obligimi”, thekson Ziberi në promovimin e Barometrit të Përfaqësimit të Drejtë, të cilin e ka punuar Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi duke i shfrytëzuar të dhënat zyrtare të Avokatit të Popullit.
Siç shtoi Ziberi, për t’u eliminuar balanseri duhet të ndryshohet Kushtetuta.
“Edhe po të dëshirojë dikush nuk mund ta bëjë sepse është normë kushtetuese dhe në atë pjesë kushtetuta mund të ndryshohet vetëm në qoftë se edhe ne pajtohemi. E nëse ja bëjmë vetes atë dëm, atëherë nuk na ka faj askush”, shtoi Ziberi.
Ndryshe, në janar, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit njoftoi se do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese iniciativë për rishikimin e balanserit, i cili mundëson punësimin në institucionet shtetërore dhe publike sipas përkatësisë etnike.