Shqiptarët do të çlirohen nga pushtetet jodemokratike në shtetet e tyre dhe në shtetet fqinje nën sundime të huaja, kur do të mësohen t’i përdorin dhe respektojnë shenjat e pikësimit, jo vetëm në drejtshkrimin e gjuhës së tyre, por edhe në aspektin logjik, për kuptimin e drejtë, të saktë dhe të plotë të mendimeve dhe veprimeve të politikës dhe pushtetit, të rrjedhave shoqërore, ekonomike dhe kulturore në përgjithësi.
Asnjëherë, ose rrallëherë ka ndodhur ndër shqiptarët të vendosin PIKË, në kohën e duhur dhe për çështje të rëndësishme të politikës, pushtetit dhe interesit kombëtar.
Asnjëherë, ose rrallëherë ka ndodhur ndër shqiptarët të vendosin PIKË, në ndalimin e fatkeqësive me pasoja të rënda për kombin dhe shtetin, për pushtetet jodemokratike, lëvizjet shoqërore dhe politike reaksionare, të dëmshme dhe armiqësore, nga krijimi i shtetit të parë shqiptar më 1912, mes dy luftërave botërore, nën regjimin komunist dhe sidomos gjatë periudhës së tranzicionit demokratik.
Janë tepër të kota konstatimet dhe përfundimet në lidhje me dështimet, në distancë kohore prej 50, 30 apo 20 vjetësh, siç ndodhi kuptimi me vonesë i dëmeve që u solli komunizmi shqiptarëve, sidomos regjimi komunist jugosllav, më vonë siç ndodhi me periudhën e transformimit demokratik të shoqërisë, dhe sidomos me periudhën e pasluftës dhe pavarësisë në shtetit të Kosovës.
Mungesa e vetëdijes politike, përgjegjësisë shoqërore dhe kombëtare dhe gatishmërisë për të vendosur PIKË në proceset devijuese, mbi veprimtarinë e lëvizjeve politike dhe drejtuesve të gabuar, të imponuar nga qarqet e huaja, në politikë dhe pushtet, u ka sjellë dëme të mëdha shqiptarëve në të kaluarën, për të sotmen dhe të ardhmen e tyre.
Shoqëritë në tranzicion janë tepër të hapura për t’u infektuar lehtë nga sëmundjet nga më vdekjeprurëset, prandaj ato duhet të trajtohen si pacientët në fazën e parë të infektimit, me diagnozë dhe terapi adekuate, duke mos pritur që sëmundja të mer hov dhe shndërrohet në kancer apo sëmundje të pashërueshme.
Prandaj, vendosja e PIKËS, në çështje të politikës dhe pushtetit është e domosdoshme, ashtu si edhe diagnoza dhe terapia e saktë dhe në kohën e duhur për shpëtimin e jetës së një pacienti.
Sikur të kishin ditur shqiptarët ta përdorin PIKËN në politikë dhe çështje të pushtetit, virusët e dikurshëm të regjimeve jodemokratike dhe antikombëtare, nuk do të ishin shndërruar sot në gangrenë, kancer dhe sëmundje të pashërueshme të shoqërisë shqiptare.
Shumica e shqiptarëve sot, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, apo viset tjera shqiptare, janë të vetëdijshëm se cilët persona, liderë, udhëheqës politik, pushtetarë, bashkë me klanet dhe grupimet e tyre, është dashur me kohë t’u jepet KARTON I KUQ, t’u vendoset PIKË, për veprime të mëteshme të dëmshme, në ushtrimin e veprimtarisë politike, pushtetare dhe publike të tyre.
Dhe, të mos harrojmë, përdorimi i PIKËS në çështjet politike dhe të pushtetit është mjeti i vetëm, më efikas dhe i domosdoshëm për ndërgjegjësimin e një shoqërie dhe nivelin e pjekurisë politike të çdo populli të qytetëruar dhe shoqërie të përparuar në botën e sotme.
Pëmbajtjeve, veprimeve, vlerave të ulëta, punëve të dyshimta të veprimtarisë politike dhe pushtetare si të liderëve të derisotëm (ka shumë emra të “merituar” për karton të kuq), përfundimisht duhet t’u vendoset PIKË, për t’i shpëtuar edhe ata nga KAPJA edhe popullin nga ZULLUMI i tyre.
Populli shqiptar, sidomas në rrethanat e sotme kur duhet të ringihet, çlirohet, bashkohet, zhvillohet dhe përparojë, nuk e meriton poshtërimin para botës dhe historisë me udhëheqës të kësaj sorte!
(29.IX.2019)