Shkup, 26 shtator – Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, njëherësh ministër për Sistem Politik, Sadulla Duraku, ka siguruar se përfaqësimi i drejtë në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit është i patjetërsueshëm në Agjencinë Nacionale për Siguri, pasi siç është shprehur ai, ANS është institucion i ri dhe nuk ka arsyetim të mos fillojë konform ligjeve dhe MO-së.
“Interesimi im për punën e agjencisë dhe atë se si po shkon procesi në këtë institucion është që moti, dhe kemi zhvilluar edhe takime me drejtorin Viktor Dimovski. Përfaqësimi duhet të jetë adekuat edhe në nivelin horizontal edhe në atë vertikal. Meqenëse është agjenci e re, ai nuk ka të drejtë të thotë se është në proces apo ngadalë-ngadalë. Këtu duhet të shkohet që në fillim me përfaqësim adekuat”, ka thënë për KOHA, Duraku, ndërsa ka shtuar se procesi i formimit të agjencisë ende nuk është mbyllur.
Ai ka folur edhe për punësimin e agjentëve të përfshirë në rastin Sopot dhe të atyre me vepra penale, ndërsa ka thënë se do të kërkojnë llogari nga kreu i agjencisë. “Ne jo t’i reagojmë, por ne do ta ftojmë të gjitha pozicionet që plotësohen aty. Pas shkrimeve tuaja, unë nuk i njoh me emra personat, por do të kërkojmë informim të drejtë nga drejtori për gjitha ato që keni shkruar”, thotë Duraku. (koha.mk)