Paralelja shqipe në shkollën fillore Njegosh të Idrizovës u bë mollë sherri në mes Ministrit të Arsimit Arbër Ademi dhe Kryetarit të Komunës së Gostivarit Arben Taravari, në emisionin Click Plus. Në pyetjen se pse Ademi nuk ia merr kompetencat e arsimit komunës së Gazi Babës ashtu siç ia mori Gostivarit, ministri tha se ky rast është ndryshe dhe se akuzoi Taravarin se ai kishte emëruar drejtor shkolle pa diplomë fakulteti.
Taravari në emision u kyç përmes telefonit me çka e mohoi një gjë të tillë, ndërsa ministrin e quajti djalosh.
“Nuk ka lidhje kjo e dini krejt. Djaloshi që ka falsifikuar titullin e tij të docentit është I gatshëm të thotë çdo gjë. (ngjitje)Por ai djaloshi që e keni përballë nuk duhej ta lejoni të jetë vetë, duhej të ketë përballë tij njerëz që do ta argumentojnë. Ai është kukull ministër nuk është ministër”, u shpreh Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Reagoi Ademi. Ai tha se Taravari ka halucinacione.
“Ofendime të këtilla dhe akuza të këtilla nga një person që me të vërtet ka halucinacione nuk lejohen. (ngjitje) Me këtë arrogancë dhe më këtë rrugaçëri që e tregon me mu debat nuk mund të ketë”, deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Në lidhje me paralelen shqipe në sh.f.Njegosh Ademi tha se do të diskutohet edhe në seancën e ardhshme qeveritare.