Shkollë e re për nxënësit shqiptarë të fshatit Idrizovë, është zgjidhja për të cilën është arritur marrëveshje në takimin e sotëm mes kreut të Komunës së Gazibabës, Këshillit të Prindërve të shkollës fillore, “Njegosh” dhe deputetit të LSDM-së, Muhamed Zeqiri. Sipas paralajmërimeve, mbi 100 nxënës shqiptarë pritet që për tre muaj të transferohen në objektin e ri, për të cilin është paraparë që të jenë 4 deri në 5 kabinete për zhvillim të mësimit, zyrë të profesorëve dhe të gjitha pajisjet e nevojshme për shkollën. Sipas kreut të komunës, Boris Georgievski kjo është një zgjidhje afatgjate dhe të gjithë nxënësit shqiptarë nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, do të kenë mundësinë të mësojnë në shkollën e re, në gjuhën amtare.
Boris Georgievski
“Komuna e Gazi Babës po merret me gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate, që do të shkojë në drejtim të hapjes së një shkolle të re për të gjithë nxënësit shqiptarë në fshatin Idrizovë. Hapësira e tokës është në pronësi të shtetit, Komuna do të përgatit elaborat dhe projekt bazë që do ta dorëzojë tek Ministria e Arsimit, me çka do të krijojmë kushte që nxënësit të mësojnë në një objekt të njejtë shkollor nga klasa e parë deri në klasën e nëntë dhe në këtë mënyrë do t’i japim fund një problemi afatgjatë që po zvarritet më shumë se 22 vite”.
Deputeti dhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri tha se sipas parashikimeve ndërtimet e shkollës priten të përfundojnë para përfundimit të gjysëmvjetorit të parë. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe prindërit mund të vendosin se në cilën shkollë në kuadër të komunës, dëshirojnë t’i dërgojnë fëmijët, ndërsa transporti do të sigurohet nga ana e Komunës së Gazibabës.
Muhamed Zekiri
“Ne propozojmë zgjidhje afatgjatë të problemit me nxënësit shqiptarë në fshatin Idrizovë…..Tash problemi që ju e parashtroni është përse ata të shkojnë dikund tjetër, a është më mirë të rrijnë në shtëpi, apo në këtë periudhë dy apo tre muaj, sa nevojiten për ta adaptu vendin, ne do të bëjmë çmos që para gjysëmvjetorit të kryhet objekti dhe fëmijët të fillojnë të mësojnë atje. Në këtë periudhë 11 nxënës do të mund të transferohen atje ku prindërit do të dëshirojnë, do të merren vesh mes vete se ku dëshirojnë”.
Të shtunën, kreu i komunës dhe deputeti i LSDM-së do të vizitojnë banorët e fshatit Idrizovë, për t’ua prezantuar idenë, që më pas të vendoset për fatin e shkollës. Ridvan Seferi nga Këshilli i Prindërve tha se do të duhej që prindërit dhe banorët ta pranonin këtë propozim, ai nënvizoi se nëse nuk ndodh gjithçka sipas marrëveshjes, atëherë do të vazhdojnë sipas paralajmërimeve të deritanishme, pra të organizojnë protesta.
Ridvan Seferi
“Nëse vërtetë për tre muaj, para gjysëmvjetorit bëhet ky objekt, atëherë ne do të pajtohemi, nuk po foli prej tash, por duhet të pajtohen të gjithë, por nëse nuk bëhet, nuk zgjidhet problemi, nuk bëhet objekti, atëherë e dijmë të gjithë se çfarë do të ndodh pas kësaj procedure”.
Njëmbëdhjetë nxënës të klasës së gjashtë, akoma nuk e kanë filluar mësimin për shkak se prindërit kërkonin hapjen e një paraleleje shqipe në fshatin Idrizovë, ndërsa komuna i’u përgjigj negativisht kësaj kërkese me arsyetimin se numri i nxënësve është i ulët, se kërkesa është dërguar me vonesë dhe se do të duhej që të punësoheshim 10 persona shtesë.
Ajnur Bafqari /SHENJA/