Bogovina, Zhelia, Tearca dhe Jegunovca do të bëhen me njësit kundër zjarrit. Kjo pasi baza kryesore në Tetovë ka vendosur për hapjen e nënstacioneve të reja që do të lidhin komunat rurale. Shefi i NJTKZ Tetovë Avni Ameti tha për Alsat se objektet ku do të vendosen njësitet pritet të sigurohen dhe mirëmbahen nga ana e komunave rurale, ose në të kundërtën do të ju fakturohet çdo intervenim që do bëhet nëpër territoret e tyre.
“Pra do të ketë tre nënstacione të reja. Do jetë në tre pika që do lidhin komunat rurale, pra komuna e Bogovinës dhe e Brvenicës do përfshihet me një stacion, komuna e Tearcës me Jegunocin një pikë dhe komunën e Zhelinës që e kemi më të ndarë nga komunat rurale, ndërsa në kohë dimri do kemi edhe një stacion që do jetë mobil e që do vendoset në malin Sharr. Gjatë gjithë kohës ne kemi folur për atë që komunat rurale duhet të participojnë për NJTKZ Tetovë, kështuqë financues kryesor do jetë komuna e Tetovës por do duhet të lidhim kontrata financimi edhe komunat ku do jenë pikat”, tha Avni Ameti kryeshef i NJTKZ.
Komuna e Zhelinës thotë se tashmë ka filluar kërkimin e një lokacioni ku do vendoset kjo pikë e zjarrfikësve, ndërsa për të financuar këtë pikë nga komuna e Zhelinës thonë se do jetë problem, shkaku i mungesës së mjeteve.
“Fillimisht jemi të orientuar të sigurojmë një lokacion adekuat që do jetë në pronësi të komunës së Zhelinës, e nëse nuk ja dalim me këtë atëherë do gjejmë vend me forma të tjera të mbulimit të shpenzimeve, por me rëndësi është lokacioni të jetë adekuat”, theksoi Jasin Shaqiri.komuna e Zhelinës.
Banorët e kanë mirëpritur këtë vendim sepse do jenë më rehat në raste të zjarreve, por janë skeptik se kjo do të bëhet.
“Pozitive është të kemi njësi zjarrfikësish sepse do na ndihmonte në raste zjarri apo fatkeqësie që të arrin sa më shpejtë. Të ketë vendbanimi sa më afër njësinë e zjarrfikësve do ishte shpëtim jetësh, por nuk e di do shohim sa do ia dalin institucionet e komunës, por sa më shpejtë të bëhet aq më mirë”, tha një banor.
“Gjithçka që bëhet për banorët është mirë, edhe pse ne kemi nevojë jo vetëm për zjarrfikës por për shumë gjëra, por varet nga institucionet”, u shpreh një tjetër banor.
Projekti financiarisht do të përkrahet nga komuna e Tetovës, ndërsa për të njëjtin nuk do të ketë punësime të reja por do të shpërndahen punëtorët që aktualisht janë në pikën e Tetovës, bashkë me makinerinë e nevojshme./Alsat.mk