Organi i cili duhet t’i ndjek penalisht shkelësit e ligjit, nuk respekton as aktin më të lartë juridik. Prokuroria Publike ka hequr dhe më nuk i ka vendosur tabelat me emrin e ri kushtetues dhe me mbishkrim në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Të pyetur se përse nuk janë vendosur tabelat me emrin e ri kushtetues dhe me mbishkrime në gjuhën shqipe, nga Prokuroria Publike thonë shkurt se procedura është në rrjedhë e sipër. Tabelat mungojnë edhe në Prokurorinë Themelore, atë të Lartë dhe Republikane.
Procedura për ndryshimin e tabelave për të cilën Prokuroria Publike thotë se është në rrjedhë e sipër, është jashtë afateve të parapara në Ligjin për përdorimin e gjuhëve”.
Dispozitat ligjore obligojnë institucionet që në afat prej gjashtë muajve t’i ndryshojnë mbishkrimet. Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar më 15 janar 2019, ndërsa afati gjashtë mujor ka skaduar në muajin korrik. Kushtetutën dhe ligjin nuk e respektojnë as Agjencia për Komunikime Elektronike dhe as Gjykata Kushtetuese. Madje, gjykata më e lartë e cila duhet të mbroj kushtetutshmërinë e aktit juridik, në tabelën e vendosur në hyrje akoma mban mbishkrimin “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë”. Nga Agjencia për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve thonë se institucionet në fjalë do t’i vizitojnë në kuadër të procesit për monitorimin e zbatimit të ligjit. Veç tabelave me mbishkrimet, ende nuk kanë nisur as procedurat për ndryshimet e dispozitave ligjore për zbatimin e ligjin për gjuhët në aktet juridike dhe procedurat administrative në organet e pushtetit gjyqësor.