4.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaOpinionDritan Goxhaj /Për Zotin nuk kam lidhje me grupin

Dritan Goxhaj /Për Zotin nuk kam lidhje me grupin

Sot në këtë ditë të parafundit të këtij viti normalisht që nuk mund të mungonte në dalje publike edhe edhe kreu i sektit të “Rilindjes” të kamufluar si Parti Socialiste, Kryeministri i këtij vendi, që mos qoftë, dora vetë Ed(vin) Rama.

Sot doli para gazetarëve duke na numëruar arritjet e mëdha të qeverisjes dhe qeverisë së tija.

Na foli për rritjet në përqindje të eksporteve, të prodhimit dhe të turizmit, por gjithnjë duke mos treguar se sa kanë qënë këto fusha në vitet që shkuan dhe sa përqind të GDP kanë zënë këto subjekte.

Na the se rritja ekonomike e jona këtë vit do të mbyllet me shifrën prej 4% që sipas kësaj deklarate duhet të jemi në 10 vëndet e para të botës për rritje ekonomike. Pamvarësisht se rritja e GDP realisht qëndron në normen 3,6% kjo nuk do të thotë se jeta e shqiptarëve është përmirësuar.

Rritja e GDP-së ka sjell forcim vetëm të ekonomisë qeverisëse por jo edhe të të ardhurave të qytetarëve, përkundrazi për të arritur këtë rritje qeveria ka shfrytëzuar rritjen e çmimeve mbi qytetarët.

Kryeministri tha se ndihej shumë i kënaqur në krahasim me vitet që shkuan po nën qeverisjen e tija.

Por vjet rritja vjetore e GDP-së ka qënë 8.91% ndërsa sivjet 3.6-4%.

Rritja në GDP nga bujqësia vjet ka qënë 68986 milionë Lekë, ndërsa sivjet ajo është 68921 milionë Lekë, që do të thotë 65 milionë Lekë më pakë. Nuk ka shumë rëndësi shifra sesa treguesi që ky sektor është në rënie e jo në ngritje.

Rritja në GDP nga ndërtimi vjet ka qënë 48054 milionë Lekë, ndërsa sivjet ajo është 47452 milionë Lekë, që do të thotë 602 milionë Lekë më pak. Tregues që ky sektor është në rënie e jo në ngritje.

Rritja në GDP nga prodhimi vëndas vjet ka qënë 28387 milionë Lekë, ndërsa sivjet është 27245 milionë Lekë, që do të thotë 1142 milionë Lekë më pak. Tregues që prodhimi vëndas ka rënie dhe jo ngritje.

Rritja në GDP nga minierat vjet ka qënë 55215 milionë Lekë, ndërsa sivjet ajo është 53653 milionë Lekë, që do të thotë 1562 milionë Lekë më pak. Tregues që ky sektor është në rënie e jo në ngritje.

Të vetmit sektor që paraqesin rritje në GDP këtë vit janë administrimi publik dhe sektori i shërbimit, ai që i përket turizmit për të cilin edhe Rama u mburr. Pamvarësisht se ky sektor nuk ka asnjë lidhje me qeverinë ose me punën e Ramës e të qeverisë së tija. Dhe për hatër të transparencës vjet sektori i administrimit publik ishte 51221 milionë Lekë, ndërsa sivjet 53124 milionë Lekë. Ndoshta ngaqë qeveria ka rritur numrin e të punësuarve në këtë sektor dhe disa nivele pagash.

Ndërsa për sektorin e shërbimit vjet ka qënë 68825 milionë Lekë ndërsa sivjet është 69477 milionë Lekë.

Ndërsa përsa i përket faktorëve të tjerë paga miniamle ka mbetur ajo që ka qënë edhe vjet, nuk ka asnjë rritje. Që do të thotë se rritja që Kryeministri shpalosi nuk ka dhënë asnjë efekt mbi shtresën e varfër të këtij vendi.

Gjithashtu sivjet kemi edhe një faktor i cili shpjegon rënien e prodhimit vendas, kemi rënie të popullsisë, që do të thotë largim të saj nga Shqipëria.

Vjet në Shqipëri numëroheshin 2,83 milionë banorë, ndërsa sivjet ky numër ka rënë në 2,79 milionë banorë.

Kjo do të thotë se nga Shqipëria janë larguar vetëm brënda këtij viti në total 113,200 banorë.

Duke llogaritur edhe vdekjet mund të themi që numri i të gjallëve të larguar nga Shqipëria për këtë vit që po lëmë pas mund të variojë midis 80 mijë dhe 100 mijë banorëve.

Edhe kjo është një sukses tjetër i madh i këtij Kryeministri dhe qeverisjes së tija.

Ndërsa përsa i përket çmimeve në krahasim me vjet ato kanë një rritje. Vjet ato kanë qënë nivelin e 116 pikëve, ndërsa sivjet kanë pësuar rritje me një pikë duke shkuar në vlerën e 117 pikëve. Duhet pasur parasysh se rritja e çmimeve sjell rritje të të ardhurave nga taksimi, të cilat shkojnë direkt në GDP.

Gjithashtu një faktor tjetër i cili mund të ketë kontribuar në rritjen e GDP që prezantojë Kryeministri janë edhe remitancat të cilat sivjet kanë pësuar një rritje në krahasim me vjet. Vjet ato ishin në vlerëm 230 milionë Eurove, ndërsa sivjet kanë shkuar në vlerën e 232 milionë Eurove, dmth 2 milion euro më shumë se vjet.

Sivjet kemi pasur edhe rritje të shpenzimeve ushtarake, siduket nga marrja e dronëve turq. Vjet shpenzimet ushtarake të Shqipërisë ishin në vlerën e 223 milionë dollarëve, ndërsa sivjet janë në vlerën e 289 milion dollarëve.

Prodhimi industrial sivjet ka pësuar një rënie në krahasim me vjet. Vjet ai paraqitej në vlerën e -12.7%, ndërsa sivjet ai paraqitet në vlerën -13.5%.

Gjithashtu ky vit të cilin Rama e cilësoi si viti më i mirë i të gjitha viteve të tija në qeverisja ka pësuar rritje të indeksit të korrupsionit. Nga 35 pikë që ishte vjet, sivjet ai ka vajtur në 36 pikë.

Edhe kjo është një arritje tjetër e qeverisjes së tija.

Por arritja më e madhe e tija, siduket bazuar mbi këtë rritje të indeksit të korrupsionit është deklarimi se “ përgjegjësia qeverisëse është e kryeministrit, ndërsa përgjegjësia penale është individuale”.

Me këtë ka dashur t’ju bëjë me dije të gjithë shqiptarëve se pamvarësisht se qeveria është një organizëm hierarkik piramidal, pamvarësisht se qeveria e drejtuar nga Kryeministri i ka të gjitha mekanizmat e mundshëm të kontrollit dhe të informacionit, qofshin ato të hapura ose të fshehura, ai nuk mban asnjë përgjegjësi penale kur ministrat e tij dhe zëvëndësit e tij akuzohen për korrupsion e abuzim detyre.

Pra përgjegjësia komanduese në rastin e Ramës nuk ekziston. Përgjegjësia e neglizhencës në kryerjen e detyrës nuk egziston. Përgjegjësia morale e përzgjedhjes dhe mbështetjes së këtyre individëve dhe mbrojtjes së tyre deri në ditën e fundit të gjykimit kur marrin dënimin, për të nuk ekziston. Kur dihet dhe tashmë është parë se të gjitha emërimet në qeverisje janë direkt vendime të Ramës e aspak të konsultuara me forumet e sektit të tijë, ose të partisë për ata që akoma kanë nostalgji ta konsiderojnë sektin e “Rilindjes” si parti.

Dhe të vetmin rast për të cilin Rama deklaroi se mund të mbante përgjegjësi ishte vetëm në rast se ai nuk do e pranonte vendimin e ndrejtësisë.

Pra Kryeministri sot na bëri me dije se ai është mbi çdo ligj dhe mbi çdo normë morale të shoqërisë në të cilën jetojmë.

Të gjithë hajdutët, trafikantët dhe abuzuesit me pushtetin mund ta bëjnë atë sa të duan nën qeverisjen e Ramës me kusht që mos të kapen.

Ama po u kapën atëherë ky si një kapo i një organizate kriminale deklarohet i pafajshëm duke thënë që nuk mban përgjegjësi për ta.

Ose si i thonë shqip “ Për zotin nuk kam asnjë lidhje me grupin zoti gjykatës”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments