Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e ish kryeministrit Nikolla Gruevski për rastin “Parcelat në Vodno”. Supremja ka vlerësuar se ankesa e Gruevskit mbi lartësinë e dënimit prej 7 viteve burg nuk ka bazë. Kërkesa e tij për shqyrtim të jashtëzakonshëm të ankesës është sjell më 21 prill të vitit 2022, përkatësisht në kohën kur Gruevski akoma nuk kishte apeluar vendimin e shkallës së parë. Apeli kishte vërtetuar lartësinë e dënimit në këtë rast në shkurt të këtij viti.
“Parcelat në Vodno” është vepra e vetme e cila po pengon Gruevskit të kthehet në shtet, pasi lëndët tjera ndaj tij pushuan ose u vjetërsuan falë ndryshimeve të fundit në Kodin Penal. Kësaj vepre i referohej edhe kërkesa për sjelljen e qëndrimit parimor mbi rikthimin në fuqi të abolimit të ish presidentit Gjorge Ivanov nga viti 2016, kërkesë e cila u tërhoq nga vetë propozuesi.
Për refuzimin e kësaj kërkese dhe denoncimin publik të presionit politik ndaj kryetares së Gjykatës Supreme, Këshilli Gjyqësor ka nisur procedurë për vërtetimin e përgjegjësisë së Besa Ademit mbi bazën e “mungesës së kulturës profesionale dhe juridike”. Komisioni referues pritet të mblidhet në fund të muajit, ndërsa Ademi paraprakisht ka deklaruar se kërkon që mbledhja të jetë e hapur edhe për mediat.
Alsat që në fillim të muajit nëntor kishte raportuar se për shkak të transparencës para mediave, Ademi mund të përfundon në përgjegjësi, përkatësisht në shkarkim edhepse prononcimet e saja në media nuk janë arsyeja e vërtetë e shkarkimit, por dyshohet se prishja e matematikave politike për ta kthyer Gruevsin po e penalizojnë Gjykatën Supreme, përkatësisht kryetaren e saj.
Nevoja e transparencës u potencua edhe në raportin e fundit të misionit vlerësues në Këshillin Gjyqësor nga ku dolën 40 rekomandime, ndërsa në raport është potencuar se prezenca e kryetares së Supremes në mbledhje të këshillit nuk është e domosdoshme. Pavarësisht këtij rekomandimi të ekspertëve, kërkesa për përgjegjësi ndaj saj bazohet edhe në faktin që Ademi nuk është paraqitur në mbledhje.
Komisioni referues duhet t’i dëgjon palët, propozuesin e iniciativës dhe subjektin e procedurës për shkarkim apo përgjegjësi. Pas këtij veprimi procedural, raporti i shkon Këshillit Gjyqësor ku anëtarët prononcohen, propozojnë dhe votojnë për masat ndaj Ademit. Për veprimet e këshillit dhe nismën për vërtetimin e përgjegjësisë së Ademit kanë reaguar edhe përfaqësuesit diplomatik në vend, ndërsa në fund të muajit tetor Ademi zhvilloi edhe një takim pune me ambasadoren amerikane në vend, Angela Aggeler nga e cila mori mbështetjen për punën e deritanishme dhe vlerësimet e mara si gjykata më e suksesshme në kohën kur gjyqësori përballet me besueshmërinë më të vogël nga qytetarët. /Alsat.mk