8 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeRel / Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus?

Rel / Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus?

Cilat pika në Ballkanit Perëndimore janë më të ndjeshme ndaj ndikimit rus?

Diskutimi lidhur me atë se sa mund të jetë i brishtë stabiliteti i këtij rajoni u nis javën e kaluar nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e më pas pretendimet e tij u mbështetën disa ditë më vonë nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij të parë në Bosnje e Hercegovinë më 20 nëntor.

Nga Sarajeva, si ndalesa e parë e turneut të tij treditor në Ballkan, dhe kryeqyteti i vendit që ai vetë e klasifikoi në nëntorin e vitit 2022, së bashku me Moldavinë dhe Gjeorgjinë, si ndër shtetet që rrezikohen për shkak të veprimeve nga Moska, Stoltenberg shprehu edhe një herë shqetësim për ndikimin rus.

Zelensky ishte shumë më i drejtpërdrejtë, duke deklaruar se Rusia “do të sigurohet që një vend ballkanik të hyjë në luftë me një tjetër”.

Ai nuk saktësoi se për cilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor e kishte fjalën, por deklarata e tij nxiti reagime në Bruksel dhe Uashington.

Liderët në Ballkanin Perëndimor nuk e komentuan këtë deklaratë të presidentit ukrainas, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) konfirmuan se ndajnë shqetësimin e Zelenskyt për ndikimin malinj të Rusisë.

“Ne kemi informacione dhe i kemi parë këto aktivitete ruse për disa kohë, kështu që kemi një pamje të plotë dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë po përpiqet të bëjë Rusia”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano në një konferencë për media.

Po ashtu, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se Uashingtoni po punon me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët evropianë për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe reformat, “që do të pakësonin mundësinë e ndikimit malinj rus”.

Cingel: Nuk ka gjasa për konflikt të armatosur

Jan Cingel, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Analiza Strategjike në Bratislavë, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka gjasa për një konflikt të armatosur mes vendeve në Ballkanin Perëndimor.

“Ajo që është ndoshta kërcënimi më i madh i menjëhershëm, apo ajo që mund të shpërthejë në rajon, janë aktivitetet e ndryshme brenda një lloji të një lufte hibride”, tha ai.

Siç shpjegoi ai, kjo nënkupton operacione të grupeve të vogla, të cilat kanë një agjendë të caktuar politike, “siç e pamë në rastin e Banjskës në muajin Shtator”.

Më 24 Shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Më pas tre sulmues u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Kosova: Qëllimi i Rusisë, ndezja e një krize në oborrin e BE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më 20 Nëntor se ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor mund të shikohet nga tri aspekte: propaganda, armët dhe mbështetja politike që Rusia i jep Serbisë për “të destabilizuar rajonin”.

“Këto bëhen këto të tria bashkë, është tepër e qartë që është në interes të Rusisë që të hapë edhe një front kundër Perëndimit. Dhe natyrisht këtë front dëshiron ta hapë në pjesë të Evropës të cilat ende nuk janë pjesë e NATO-s. Prandaj, kjo e bën edhe më imperative anëtarësimin tonë në NATO”, tha Osmani pas takimit me Stoltenbergun në Prishtinë.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht paralajmërojnë se Rusia përmes Serbisë po tenton të destabilizojë Kosovën, por edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se po synon të ndezë një vatër krize “në oborrin e Bashkimit Evropian”, me qëllim që, sipas tij, të shpërqendrojë NATO-n.

Përmes një postimi në Facebook Kurti tha më 19 nëntor se gjithnjë e më shumë po vërehet “kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale”.

Po ashtu, autoritetet kosovare kanë pohuar se Rusia është e “përfshirë” në kriza të shumta në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në fund të shtatorit ka deklaruar se po hetohet përfshirja e mundshme e Rusisë në sulmin në Banjskë.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa autoritetet e Kosovës e lidhin emrin e tij me vrasje, korrupsion dhe frikësim të dëshmitarëve gjatë procedurave gjyqësore.

Pas sulmit në Banjskë, Policia e Kosovës konfiskoi sasi të mëdha armësh, ndërsa ministrja Sveçla ka thënë se janë gjetur edhe armë, pajisje dhe dokumente ruse, që sipas tij janë flasin për përfshirjen e Rusisë në sulm.

Kosova e ka harmonizuar politikën e saj me shtetet perëndimore sa u përket sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës.

Edhe pse Rusia ka diplomatët e saj në Kosovë që nga viti 2005, kur u hap Zyra Ndërlidhëse në Prishtinë, shumë pak dihet për aktivitetet e tyre.

Frikë se në Bosnje mund të ketë një incident si ai i Banjskës

Cingel deklaroi për REL-in se incidente si ai në Banjskë mund të përsëriten ose në Kosovë ose në Republikën Sërpska apo në disa pjesë të tjera në Bosnje e Hercegovinë, veçmas në qarkun Bërçko, i cili është një pjesë e Bosnjës “shumë e cenueshme dhe e paqëndrueshme”.

Ai tha se këto janë operacione të grupeve më të vogla që kanë agjenda politike dhe që mund të ndikohen nga aktorët rajonalë apo edhe nga Rusia.

“Ne e dimë se Rusia ka përfaqësuesit e saj dhe po përpiqet të ndikojë në zhvillimin e ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor, duke mbështetur disa nga entitetet apo aktorët, si për shembull, Millorad Dodikun në Republikën Sërpska”, tha Cingel.

Sipas tij, ka edhe disa grupe të tjera që nuk janë aq të përcaktuara politikisht, por kanë agjendat e tyre nacionaliste ose etno-nacionaliste dhe veprojnë ose në Bosnje dhe Hercegovinë, në Mal të Zi ose në Kosovë.

Rusia në Bosnje: Dodik, bashkëpunimi kulturor, gazi dhe nafta

Ndikimi i Rusisë në Bosnje e Hercegovinë reflektohet, ndër të tjera edhe përmes veprimeve të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, bashkëpunimit kulturor në mes të institucioneve kryesisht në këtë entitet si dhe reflektohet edhe në supermacinë në tregun e energjisë.

Që nga viti 2017, Dodik është nën sanksione të Departamentit amerikan të Thesarit, pasi ai “paraqet një rrezik të konsiderueshëm për pengimin aktiv” të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit të vitit të kaluar, Dodik është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, tri herë.

Hera e fundit që ata u takuan ishte në Moskë në muajin Maj, kur Dodik tha se Republika Sërpska ishte e “ekspozuar ndaj presionit nga Perëndimi” për shkak të mbështetjes së saj për Rusinë.

Përmes misionit të saj në Bruksel, Bosnje e Hercegovina mbështeti disa paketa sanksionesh të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë, por këto vendime nuk janë zbatuar në praktikë.

Vendimi për zbatimin e sanksioneve duhej të ishte konfirmuar nga Këshilli i Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, gjë që nuk ka ndodhur për shkak të kundërshtimit të ministrave që vijnë nga Republika Sërpska.

Që nga viti 2011, Rusia ka kundërshtuar rregullisht raportet e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe ka argumentuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se ky post duhet të hiqet.

Përfaqësuesi aktual i lartë, Christian Schmidt, nuk njihet nga Moska, sepse Rusia beson sepse atij “nuk i ka dhënë mandat Këshilli i Sigurimit të OKB-së”.

Në mars të vitit 2022, ambasadori rus në Sarajevë, Igor Kalabuhov, paralajmëroi Bosnjë dhe Hercegovinën se Rusia do të reagonte nëse shteti vendos të bëhet anëtar i aleancës së NATO-s.

Në mes të Nëntorit, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Petar Gjokiqit, ministrit të Minierave dhe Energjisë së Republikës Sërpska, për shkak të korrupsionit dhe aktiviteteve malinje në favor të Rusisë. Sanksione u vendosën edhe ndaj Sava Cvijetinoviqit, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), partisë së Millorad Dodik, dhe Dushko Peroviç, udhëheqësit të zyrës përfaqësuese të Moskës në Republikën Sërpska.

Serbia: Nuk ka sanksione kundër Rusisë

Falë, veç tjerash, “miqësisë tradicionale” me Rusinë, Serbia është i vetmi vend kandidat për në Bashkimin Evropian nga Ballkani Perëndimor, dhe një nga të paktët në Evropë, që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës ndaj Ukrainës.

Serbia e arsyeton këtë politikë me varësinë nga gazi rus dhe mbështetjen e Moskës në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po zgjerojnë listën e personave nga Serbia që po sanksionon për shkak të “ndikimit malinj rus”.

Në këtë kontekst, në korrik u sanksionua ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Aleksandar Vulin.

Vulin, i cili dha dorëheqje nga kreu i BIA-s në fillim të Nëntorit, kishte vizituar Moskën edhe pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Përveç Vulinit, ish-ministri në dy qeveritë serbe, Nenad Popoviç, u fut në listën e sanksioneve amerikane në mes të Nëntorit për shkak të lidhjeve biznesore me kompanitë e sanksionuara ruse.

Popoviç është themelues dhe president i Partisë Popullore Serbe, parti konservatore dhe euroskeptike.

Në listën e të sanksionuarve është edhe Misha Vaçiq, lideri i organizatës ultra të djathtë pro-ruse, “E djathta serbe”.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ai ka marrë pjesë në mitingje në mbështetje të Rusisë.

Në Shtator të vitit 2022, ai ishte vëzhgues në referendumin e mbajtur për aneksimin nga Rusia të rajoneve të pushtuara ukrainase, referendum që nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, për herë të fundit është takuar me Putinin në Kinë, në forumin ndërkombëtar të nismës kineze “Brezi dhe Rruga”. Para nisjes së agresionit kundër Ukrainës, dy liderët ishin takuar disa herë në Beograd dhe Moskë.

Gjatë vizitës së tij në Beograd në Janar të vitit 2019, Putin u mirëprit nga më shumë se 100.000 qytetarë me ftesë të Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Paralajmërime ndaj Serbisë janë bërë edhe për shkak të qendrës humanitare ruso-serbe që ndodhet në Nish, në jug të Serbisë për më shumë se dhjetë vjet. Në raportin e fundit, Komisioni Evropian kërkoi shpjegim nga Beogradi për aktivitetet e kësaj qendre.

Edhe Serbia merr armë nga Rusia.

Kanalet përmes të cilave Rusia ushtron ndikimin e saj në Serbi janë media shtetërore ruse, Russia Today (RT), dhe Sputnik.

Si media të kontrolluara nga Kremlini dhe të financuara nga buxheti i shtetit, atyre u është ndaluar transmetimi në BE që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Mali i Zi, subjekt i ndikimit rus

Futja e biznesmenit dhe politikanit Miodrag “Daka” Davidoviç në listën e zezë amerikane dhe vendosja e sanksioneve ndaj tij është rasti i fundit në të cilin partnerët perëndimorë tregojnë ekzistencën e ndikimit rus në Mal të Zi.

“Aktivitetet e tij korruptive i mundësuan përpjekjet e Rusisë për të minuar pavarësinë e institucioneve demokratike dhe gjyqësorit të vendit, duke përfshirë përpjekjet e Moskës për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve”, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

Më herët, në Rezolutën për Malin e Zi, e cila u miratua në mes të tetorit, Parlamenti Evropian shprehu shqetësim serioz për ndërhyrjet e huaja malinje.

PE-ja dënoi përpjekjet e “Rusisë për të shfrytëzuar tensionet etnike në Mal të Zi për të ndezur konflikte, për të përçarë komunitetet dhe për të përhapur informacione mashtruese në një përpjekje për të destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Rezoluta paralajmëroi gjithashtu kundër ndërhyrjes nga Kisha Ortodokse Serbe, duke përfshirë përpjekjet e saj për të promovuar dezinformimin rus.

Formimi i koalicionit qeverisës të udhëhequr nga kryeministri Millojko Spajiç, dhe zgjedhja e njërit prej liderëve të Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiç, në postin e kryetarit të Kuvendit, shkaktoi shqetësim në mesin e zyrtarëve amerikanë.

Mandiç është gjithashtu anëtar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, që është organi më i lartë që komandon Ushtrinë e Malit të Zi.

Fronti Demokratik, që së fundi është shpërbërë, ka mbrojtur heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, ka kundërshtuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka kërkuar tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Partitë pro-serbe, të cilave i përket Mandiq, në marrëveshjen e koalicionit janë zotuar që si pjesë e qeverisë së re të respektojnë politikën e mëparshme të jashtme dhe të sigurisë të Brukselit.

Mali i Zi iu bashkua sanksioneve evropiane kundër Rusisë për herë të parë pasi ajo aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014. Atëbotë, marrëdhëniet me Rusinë u ftohën dhe të dy vendet u distancuan edhe më shumë në prag të hyrjes së Malit të Zi në NATO më 2017.

SHBA-ja dhe BE-ja deklaruan se tentativa për “grusht shtet” në ditën kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare më 2016, ishte shembulli më drastik i ndërhyrjes ruse dhe përpjekjeve për të destabilizuar Malin e Zi.

Përkatësisht, dy anëtarë të shërbimit të inteligjencës ruse, tetë shtetas serbë dhe drejtuesit e Frontit Demokratik, Millan Knezheviq dhe Andrija Mandiç, sipas Prokurorisë Speciale të Shtetit, në ditën e zgjedhjeve po përgatisnin ndryshimin e qeverisë në mënyrë të dhunshme.

Për këtë akuzë, ata u dënuan me burg. Por, Gjykata e Apelit e anuloi vendimin dhe rasti u kthye në rigjykim.

Pas agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Qeveria e Malit të Zi iu bashkua sanksioneve të reja të BE-së kundër Rusisë.

Institucionet malazeze të sigurisë deri më tani kanë dëbuar të paktën 12 punonjës të Ambasadës ruse në Podgoricë.

Jan Cingel, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Analiza Strategjike në Bratislavë, e cilësoi Malin e Zi si një tjetër pikë të nxehtë të mundshme, veçanërisht për shkak të fushatës rreth regjistrimit të popullsisë, e cila është shumë e politizuar dhe po e polarizon shoqërinë.

“Kështu, tensionet etnike po rriten edhe në Mal të Zi, gjë që nuk ishte rasti në të kaluarën. Kjo u lejon aktorëve të huaj të ndërhyjnë dhe të mbështesin disa nga forcat vendase politike që sillen në mënyrë jokonstruktive”, theksoi Cingel.

Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, i cili duhet të fillojë në ditën e fundit të nëntorit, po shkakton tensione politike dhe kombëtare dhe ka dyshime se rezultatet e tij mund të falsifikohen.

Partitë opozitare dhe organizatat kombëtare pro Malit të Zi besojnë se qeveria po përpiqet të kryejë inxhinieri etnike me ndihmën e Beogradit zyrtar dhe Kishës Ortodokse Serbe./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments