0.5 C
Tetovo
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
BallinaLajmeRMV mori kritika dhe rekomandime të shumta nga Komisioni Evropian për trajtimin...

RMV mori kritika dhe rekomandime të shumta nga Komisioni Evropian për trajtimin e fëmijëve

Trafikimi, abuzimi seksual, dhuna, mbrojtja sociale, arsimimi, legjislacioni, hartimi i politikave dhe zbatimi i tyre, varfëria, diskriminimi, janë vetëm disa nga fushat ku Maqedonia e Veriut nuk i ka punët mirë me fëmijët dhe të drejtat e tyre, për të cilat vendi duhet të merr masa dhe të punojë shumë. Këto mes tjerash janë konstatuar në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023 mbi në rrugën e RMV-së drejt integrimit evropian, të cilin e analizoi për sa i përket temave që prekin fëmijët dhe të drejtat e tyre.

Raporti thekson se masa të ndryshme legjislative, institucionale dhe politike mbrojnë të drejtat e fëmijëve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe acquis-in e BE-së. Megjithatë, nevojitet kornizë më e mirë legjislative, më shumë fonde dhe më shumë burime njerëzore në shumicën e sektorëve.

“Nevojiten reforma të mëtejshme dhe bashkëpunim më i mirë ndërinstitucional për të garantuar respektimin e të drejtave të fëmijëve për arsim, shëndetësi, mbrojtje nga dhuna, mosdiskriminimi dhe të tjera”, thekson Raporti.

Theksohet se përgatitja e një plani kombëtar veprimi për fëmijët u vonua.

“Maqedonia e Veriut ende nuk ka organ kombëtar përgjegjës për koordinimin e të gjitha politikave që kanë të bëjnë me zbatimin e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. Dispozitat e ligjit për familjen për birësimin dhe martesën nën moshën 18 vjeç nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kjo duhet të trajtohet si çështje urgjente”, thekson Raporti.

Në vitin 2022, te Avokati i Popullit janë paraqitur 252 ankesa lidhur me shkeljen e të drejtave të fëmijëve, 12 prej të cilave kanë të bëjnë me fëmijët me aftësi të kufizuara. Avokati i Popullit ka nxjerrë 103 mendime, të cilat janë pranuar në 87 raste.

“Nevojitet ndërgjegjësimi për mundësinë që fëmijët të paraqesin vetë ankesat. Nevojiten veprime të mëtejshme për të forcuar kapacitetet, në veçanti, burimet njerëzore dhe financiare, të Departamentit të Avokatit të Popullit për të drejtat e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara”, thekson Raporti.

Nënvizohet se zyra e Avokatit të Popullit ka forcuar bashkëpunimin me OJQ-të, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Fëmijët sipas Raportit duhet të përfshihen më shumë në hartimin e politikave që lidhen ose prekin të drejtat e fëmijëve.

Raporti thekson se mekanizmat për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna kanë nevojë për më shumë mbështetje, në formën e financimit të mjaftueshëm dhe zbatimit të strategjisë kombëtare për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve (2020-2025).

“Nevojiten masa për të forcuar sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe për të përmirësuar mbledhjen e të dhënave për dhunën dhe abuzimin, si në internet ashtu edhe jashtë saj…Të dhënat e besueshme dhe të krahasueshme të ndara sipas moshës dhe gjinisë janë thelbësore për zbatimin dhe monitorimin e Strategjisë Kombëtare për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve”, thotë Raporti.

Sipas Raportit, mungon informacioni i përditësuar mbi masat e ndërmarra për të luftuar varfërinë e fëmijëve dhe për të vlerësuar ndikimin e mbrojtjes ligjore ekzistuese.

“Autoritetet duhet të angazhohen për të bërë ndryshime në sistemin e mbrojtjes sociale për të qenë më i ndjeshëm ndaj fëmijëve dhe i bazuar në një model të ofrimit të shërbimeve me në qendër fëmijët. Bashkëpunimi në nivel lokal duhet të përmirësohet ndërmjet palëve të interesuara, për të përfshirë OJQ-të për të drejtat e fëmijëve dhe vetë fëmijët në vendimet që i prekin ata. Kapaciteti i qendrave të punës sociale duhet të zgjerohet, në mënyrë që ato të mund të zhvillojnë dhe mbështesin shërbime të reja komunitare në të gjithë vendin, duke përfshirë shërbimet për të mbështetur fëmijët në rrezik, fëmijët romë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara që janë viktima të diskriminimit dhe segregacionit”, thuhet në Raport.

Autoritetet sipas Raportit identifikuan 7 fëmijë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore në vitin 2022.

Nevojiten më shumë masa për të siguruar mbështetje efektive për fëmijët në nevojë, duke përfshirë mbrojtjen nga shfrytëzimi seksual. Autoritetet duhet të krijojnë programe trajnimi për të drejtat e fëmijëve për të gjithë profesionistët. Trajnimi i vazhdueshëm i zhvillimit profesional duhet t’u ofrohet gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë për çështje të tilla si dhuna ndaj fëmijëve. Plani Kombëtar i Veprimit dhe Strategjia për luftën kundër trafikimit të fëmijëve (2021–2025) duhet të përafrohet me Konventën Lanzarote”, tregon Raporti.

Nënvizohet se Ligji i ri për drejtësinë për fëmijët u miratua në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe acquis të BE-së, duke përfshirë Direktivën për masat mbrojtëse procedurale për fëmijët që janë të dyshuar ose të akuzuar në procedurë penale.

“Administrimi i drejtësisë për fëmijët u përmirësua me miratimin e strategjisë 2022-2026 për drejtësinë për fëmijët dhe planin e veprimit 2022-2023, duke promovuar më tej masat alternative ndaj kujdestarisë dhe risocializimit të fëmijëve”, thotë Raporti.

Theksohet se legjislacioni duhet të ndryshohet për të gjetur zgjidhje miqësore për fëmijët për masat edukative korrektuese për vajzat, pasi institucioni edukativ korrektues në Vollkovijë pret vetëm djem të rinj në mungesë të seksionit për vajza.

Për të mbështetur integrimin e arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuara, KE-ja thekson se janë të punësuar 725 asistentë arsimorë, duke mbuluar 850 fëmijë.

“Regjistrimi i fëmijëve romë në kopshte u rrit lehtë me 1.25% nga 420 vitin e kaluar në 462. Në vitin shkollor 2022/23, 4 .29 fëmijë romë u regjistruan në klasën e parë të arsimit fillor dhe 202 fëmijë u identifikuan nga OJQ-të si të pa regjistruar. Shkalla vjetore e braktisjes së shkollës për fëmijët romë në shkollat fillore është ende relativisht e lartë.”, thekson Raporti.

Nënvizohet se nuk ka masa sistematike për riintegrimin e fëmijëve që kanë lënë arsimin, ose zbatimin sistematik të arsimit të detyrueshëm në nivelin fillor dhe të mesëm siç kërkohet me ligj.

Për sa i përket kuadrit ligjor, KE-ja thotë se Kodi Penal përditësohet rregullisht për të qëndruar në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare. Shtrirja e tij është zgjeruar për të kriminalizuar aktivitete të tilla si pornografia e fëmijëve.

Maqedonia e Veriut sipas Raportit po zbaton gamë të gjerë dokumentesh strategjike në lidhje me krimin e organizuar dhe format e tjera të krimit të rëndë, bazuar në strategjitë përkatëse të BE-së, ku përfshihet edhe strategjia kombëtare kundër trafikimit të fëmijëve (2021-2025).

Lidhur me abuzimin seksual të fëmijëve, Raporti vë në dukje se Seksioni i Krimit Kibernetik dhe Forenzikës Digjitale lidhet me rrjetin Interpol I-24/7 Child Sexual Exploitation-ICSE.

Sa i përket shfrytëzimit seksual të fëmijëve online, numri i krimeve të regjistruara në vitin 2022 ishte 14. Nga krimet e raportuara, tetë janë zbardhur dhe tetë autorë janë identifikuar. Rastet e mbetura janë duke u hetuar”, thekson Raporti.

Theksohet që vendi duhet të ratifikojë Konventën e Hagës për Mbrojtjen e Fëmijëve të vitit 1996, Konventën e Hagës për Mbështetjen e Fëmijëve të vitit 2007.

“Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar që fëmijëve të azilkërkuesve t’u ofrohen shërbime të duhura arsimore në përputhje me Ligjin për arsimin fillor. Mungojnë të dhënat kombëtare për fëmijët refugjatë dhe azilkërkues në arsimin fillor dhe të mesëm”, thekson Raporti.

Te marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë Raporti thekson dy vendet ranë dakord për përmirësimin e mbrojtjes së fëmijëve.

“Rekomandimet e raportit të vitit të kaluar mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti të përmirësojë qasjen në arsim cilësor për të gjithë, në veçanti fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome dhe të rrisë regjistrimin në parashkollor”, thekson Raporti.

Mes tjerash thuhet se nga Garancia për Rininë e mbështetur nga BE përfituan mbi 9.400 të rinj në rajonet që përballen me papunësinë më të lartë të të rinjve dhe shkollimi u përmirësua për fëmijët romë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments