Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj vendosjes së kryqit të gjatë 15 metra në Qendrën Turistike “Kodra e Diellit” dhe kërkon nga Komuna e Tetovës përgjegjësi për këtë veprim.
“A është vendosja e këtij kryqi gjë paraprakisht e dakorduar mes Besës së Bilall Kasamit dhe VMRO DPMNE-së, një favor i mbajtur fshehtë nga qytetarët për ndihmën që VMRO-ja i ofroi Besës në zgjedhjet lokale për komunën e Tetovës?”- pyesin nga BDI-ja.
Nga BDI-ja akuzojnë se për vendosjen e kryqit ka pasur marrëveshje mes të më hershme mes VMRO-së dhe Besës.
“Mosreagimi i komunës dhe tendenca që gjithë kjo të kalojë në heshtje flet shumë për një marrëveshje mes VMRO-së dhe Besës. Por, nuk heshtin qytetarët e Tetovës, nuk do të heshtim as ne kundër këtij pazari skandaloz. Bashkimi Demokratik për Integrim e cilëson vendosjen e kryqit një provokim të rëndë që dëmton vlerat e kohezionit social dhe kërkon nga institucionet e vendit të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme institucionale për largimin e tij nga Kodra e Diellit dhe ndëshkimin e atyre që lejuan një gjë të tillë.”- thonë nga BDI-ja.