1.7 C
Tetovo
E diel, 17 Nëntor, 2024
BallinaLajmeSpecialja e përmend si provë rastin e Dritan Goxhajt ndaj Thaçit e...

Specialja e përmend si provë rastin e Dritan Goxhajt ndaj Thaçit e Veselit

Prokuroria e Specializuar e Hagës sërish ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për dy nga krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Megjithatë, këtë herë, Prokuroria e ka përmendur rastin e Dritan Goxhajt si arsyetim që Thaçit e Veselit t’iu vazhdohet paraburgimi. Nacionale sjell detaje.

Disa deklarata e opinione që i kishte bërë ish-pjesëtari i UÇK-së nga Shqipëria, Dritan Goxhaj, e nxitën Prokurorinë të fillojë hetime ndaj tij. I njëjti më pas edhe u arrestua, dhe së fundmi është aprovuar kërkesa që ai të ekstradohet në Hagë.

Megjithatë, përveç arrestimit e ekstradimit në Hagë, deklaratat e Goxhajt po shfrytëzohen nga Prokuroria e Hagës që Hashim Thaçit e Kadri Veselit t’iu vazhdohet paraburgimi. Kjo pasi sipas ZPS-së, në Kosovë ka një klimë frikësimi të dëshmitarëve.

Në parashtrimin e Prokurorisë të cilin e ka parë Nacionale, thuhet se rasti i Dritan Goxhajt e dëshmon klimën e frikësimit në Kosovë.

“Më 31 korrik 2023, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga një gjyqtar i Dhomave të Specializuara, autoritetet shqiptare arrestuan Dritan Goxhajn në lidhje me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshinin kanosje dhe pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Intensiteti i kësaj klime të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve është shfaqur së fundi i plotë pas [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë parashtrim.

Madje, Prokuroria shkon aq larg sa citon një dëshmitar Robert Reid, i cili kishte vlerësuar se “klimë të frikësimit të dëshmitarëve sikur në Kosovë, nuk kishte parë askuns”.

“Ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë,25 për të cilën Gjykata e Apelit është pajtuar se është një ‘konsiderim kontekstual’ relevant. Gjetje të ngjashme janë bërë në Aktgjykimin e gjykimit Mustafa dhe në rastin Gucati dhe Haradinaj. Trupi gjykues i rastit konsideroi se ‘mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje e gjallë dhe kritike në Kosovë’, dhe vlerësoi dëshminë e ekspertit mbrojtës Robert Reid, i cili vuri në dukje se, në mbi 20 vjet në terren, ai kurrë nuk kishte parë frikësimin e dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë”, thuhet në këtë parashtrim.

Arsyetimet e njëjta janë bërë për ish-presidentin Thaçi e ish-kryeparlamentarin Veseli.

“Për më tepër, Thaçi/Veseli ka marrë informacione në lidhje me, ndër të tjera, 40 dëshmitarët e parë që Prokuroria synon të thërrasë,33 dhe rreziku i pengimit rritet pasi dëshmitarëve të mbetur të zbulimit të vonuar u hiqet identiteti gjatë gjykimit”, thuhet më tutje.

“Në këtë drejtim, Paneli ka theksuar më herët se zbulimi i informacioneve të tilla shumë të ndjeshme për Mbrojtjen e Thaçit domosdoshmërisht rezulton që ato të bëhen të njohura për një gamë më të gjerë të personave, duke përfshirë të akuzuarit. Dëshmitarët që bëhen të njohur për publikun përpara se dëshmitarët në fjalë të japin dëshmi, të cilat, në kontekstin e lirimit të një të akuzuari, nuk do të ishin të favorshme për mbrojtjen efektive të dëshmitarëve që ende nuk do të dëshmojnë.36 Prandaj, mbetet rrezik që Thaçi të ndërhyjë në procedura”, përfundon parashtrimi, raporton Nacionale.

Prokuroria e ka përmendur sërish rrezikun e ikjes, edhe pse i njëjti është rrëzuar si argument disa herë nga trupi gjykues.

“Paneli ka shqyrtuar argumentet e Prokurorisë në dritën e fazës aktuale të procedurës, dhe përderisa rreziku i arratisjes nuk mund të përjashtohet kurrë plotësisht, ai ripohon se nuk gjen ndonjë faktor shtesë mjaftueshëm bindës për të bindur Panelin të ndryshojë vendimin e mëparshëm në lidhje me rrezikun e fluturimit. Prandaj, Paneli konstaton se vazhdimi i ndalimit të z. Veseli mund të mos justifikohet në këtë moment për shkak të rrezikut të ikjes në pajtim me nenin 41(6)(b)(i)”, thuhej në vendimin e trupit gjykues.

Krerët e UÇK-së janë në paraburgim tash e gati 3 vjet.

/Shqip.com

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments