Presidenti amerikan, Joe Biden qeshi kur u pyet nga gazetarët që të komentonte fotografinë e paraardhësit të tij, Donald Trump të bërë gjatë arrestimit në shtetin e Georgias, duke thënë se ai është “djalë i pashëm”.
“E pashë në televizion”, u përgjigj presidenti amerikan. “Djalë simpatik. Një djalë i mrekullueshëm”, shtoi ai.
Ish-presidenti i SHBA-së iu dorëzua autoriteteve në një burg në Georgia, ku u ndalua dhe u fut në dosjet e policisë me akuzën se kishte planifikuar të “riformonte” vullnetin e votuesve në atë shtet federal në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, në të cilat humbi ndaj presidentit aktual, Joe Biden.
Trump, i cili renditet si i burgosuri me numrin P01135809, u lirua me kusht pas 20 minutash të kaluar në burg dhe gjatë procedurës bëri histori si ish-presidenti i parë amerikan që u shfaq në një foto policie.
Autoritetet e Georgias publikuan një fotografi të republikanit, pa buzëqeshje në fytyrë, duke parë kamerën dhe teksa shtrëngonte nofullën.
Trump më pas e publikoi foton në llogarinë personale në platformën X (ish-Twitter), si dhe në rrjetin e tij social, Truth Social.
Ndryshe, Trump pritet të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 pavarësisht ngritjes së katër aktakuzave penale..