Qeveria ka vendosur. Për ta, Klan Kosova duhet mbyllur dhe televizionit i mbetet të shpresojë në një vendim të drejtë të gjykatës për t’i shpëtuar drynit të pushtetit. Albin Kurti e ka marrë përsipër qëllimin për t’u bërë kryeministri i parë në histori të shtetit që do ta mbyllë një televizion, një përpjekje që i ka shqetësuar tej mase ndërkombëtarët dhe i ka mbledhur për herë të parë gazetarët në një protestë para Qeverisë.
Për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, Klan Kosova nuk do të duhej të ekzistonte më. Pasi u konfirmua se Ekzekutivi u angazhua seriozisht për arritjen e këtij qëllimi me arysetimin se biznesi ishte regjistruar në mënyrë jo të ligjshme, gazetarë dhe punonjës të tjerë të mediave, së bashku me pjesëtarë të shoqërisë civile protestuan të hënën në mbështetetje të televizionit.
Gazetarët fishkëllyan dhe prapa banerit me mbishkrimin “demokracia vdes në errësirë” marshuan prej sheshit “Zahir Pajaziti” deri te Qeveria.
“Veprim i paprecedent në historinë e re të Kosovës” dhe “përpjekje për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të televizionit” u cilësua angazhimi i Qeverisë për mbylljen e Klan Kosovës nga asociacionet e gazetarëve vendës dhe ndërkombëtarë, pasi këtij biznesi iu pezullua certifikata. Sipas Flutura Kusarit, juristes së të drejtës së medias, “vendimi i Ministrisë ka vetëm një qëllim: Të ushtrojë kontroll total në Klan Kosova dhe në mediat e tjera”.
Si nisi përpjekja e Qeverisë për mbylljen e Klan Kosovës?
Gjithçka nisi në qershor. Veprimet e shtetit, të cilat drejtori i informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla tregoi se iu ishin dukur të pabesueshme, pasuan raportimet në një web-faqe të quajtur “Kosovanews”, ku shkruhen tekste propagandistike pro-Qeverisë.
Duke u thirrur në dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe të autorizimeve ekonomike, Ministria e Industrisë njoftoi më 14 qershor për ngritjen e një kallëzimi penal ndaj Klan Kosovës, zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë. Sipas drejtorisë së ARBK-së, kallëzimi penal u ngrit me pretendimin se në certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë – Serbia” dhe “Gjakovë – Serbia”.
Ministria tha se kishte vendosur ta pezullonte licencën e Klan Kosovës deri në një vendim tjetër.
Klan Kosova tha fillimisht se “asnjëherë nuk kemi pasur rast të japim shpjegime në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e Ministrisë të cilat kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ në një portal online”.
Komisioni i Pavarur për Media më 16 qershor i dha 30 ditë afat televizionit për ta plotësuar dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.
Një pengesë doli rrugës, por Qeveria vazhdoi
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve iu bind Qeverisë dhe ia anuloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës.
ARBK shfuqizoi vendimin për suspendimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova më 21 qershor. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që kishte ngritur shqetësimin për veprimet e Qeverisë tha se “e mirëpret faktin që kanë përfunduar procedurat”.
Por kjo gjendje zgjati vetëm pak orë.
Një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e një dite më parë, për ta kthyer sërish në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së televizionit privat.
Një muaj më vonë, Ministria e Industruktisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e refuzoi ankesën e Klan Kosovës.
Ndërkombëtarët të shqetësuar, dy herë reaguan njëzëri
Ambasadorët e shteteve kryesore perëndimore në Kosovë reaguan të befasuar menjëherë pasi Qeveria nisi përpjekjen për t’ia vënë çelësin Klan Kosovës.
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, tha se është duke ndjekur nga afër rastin e Klan Kosovës dhe se vendimi për licencën e tij të biznesit është ende objekt ankimimi.
“Po e vërej shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe u bëj thirrje institucioneve relevante që të mendojnë me shumë kujdes për çfarëdo mase të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e medias në Kosovë”, ka shkruar Abbott në Twitter.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde tha se “procedurat në vazhdim duhet të jenë të drejta dhe të mos kërcënojnë rritjen mbresëlënëse, në renditjen globale të lirisë së medias”.
Vendimin e Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Ambasada e Italisë përmes një postimi në Twitter e quajti “të papritur”. Edhe Ambasada e Italisë tha se është duke e monitoruar rastin.
Kur Klan Kosovës iu refuzua edhe ankesa dhe qëllimi i Qeverisë po bëhej më i qartë dhe më serioz, ambasadorët shteteve të QUINT-it reaguan edhe njëherë.
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Europian në Kosovë, shprehën shqetësim të thellë me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për ta konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova.
“Ne jemi, në veçanti, të shqetësuar me heqjen e licencës së biznesit të Klan Kosovës me një vendim joproporcional, i cili do të ketë pasoja në pluralitetin e medias në Kosovë”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të QUINT-it dhe BE-së.
Reagimi i Osmanit
Reagimi i ndërkombëtarëve nxiti disi reagimin e presidentes Vjosa Osmani, e cila e lëshoi një deklaratë më 28 korrik duke kërkuar sqarim “deri në fund në instancat përkatëse” dhe që kjo të bëhet “duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.
“Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social. Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë”, u tha në deklaratë.
Kurti e mori përsipër qëllimin për mbylljen e Klan Kosovës dhe iu reagoi ndërkombëtarëve
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha më 29 korrik se zbatimi i ligjit kundër biznesmenëve që e shkelin atë për përftime financiare, nuk nënkupton sulm ndaj lirisë së mediave.
Përmes një postimi në Twitter, Kurti tha se liria e mediave është jetike dhe sulmi ndaj tyre përbën sulm ndaj demokracisë, duke e marrë përsipër përgjegjësinë për këtë qëllim.
“Kosova i ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti kryesor i të cilave është media, dhe 114 kompani të licencuara audio-vizuele. Zbatimi i rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, ‘jo teknikalitet’. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk e kërcënon pluralizmin medial”, shkroi Kurti.
Kurti tha se në vendet demokratike, institucionet e autorizuara për t’i trajtuar këto raste nuk janë pjesë e Zyrës së Kryeministrit, por që ato e kanë përkrahjen e plotë të ekzekutivit.
Çka tash?
Qeveria e kreu të vetën. Vendimi qeveritar e përmbyll rastin me instancat qeveritare, ndërsa Klan Kosova është ankuar në gjykatë.
“Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”, u tha në reagimin e Klan Kosovës.
Drejtori i informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla tha se e kishte të vështirë të besonte se Qeveria njëmend synonte mbylljen e televizionit. Ai e pranoi se ka frikë se Ekzekutivi njëmend do ta mbyllë këtë televizion, por shpjegoi se si mbështetja e gazetarëve po ju jep shpresë atyre.
“Nganjëherë po më kapin do të dridhura – që thonë – kur njerëzit po na ofrojnë mbështetje. Është njëfarë situate si dikur kah lufta qatëherë kur u tutshe kahpak diçka, e ke pasë qatfarë ndjesie, por e nijshe Bill Clintonin atje tu folë, Jacques Chiracun e kë tjetër që ‘na kemi me intervenu, na kemi me shpëtu, ne s’kemi me lanë…’, pak a shumë njëfarë qesi ndjesie është”, tha Syla të hënën në Frontal në T7.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi ka treguar se në cilin rast Klan Kosova do të mbyllej.
“Arsyeja pse kërkohet masë e sigurisë është që të parandalohen si të themi, dëmet të cilat mund të jenë të pariparueshme për kompaninë, biznesin e caktuar. Në rastin konkret, nëse Gjykata nuk vendos masën e sigurisë, kjo nënkupton që Klan Kosova duhet të mbyllet, gazetarët, kameramanët, i gjithë stafi duhet të shkojë në shtëpi. Do me thënë një biznes, një media e cila ka operuar qe 15 vjet, duhet ta pezullojë aktivitetin derisa të vendosë Gjykata, që mund t’i marrë 2-3 vite”, tha Miftaraj në KTV të hënën.
Duke pasur parasysh Kushtetutën, Miftaraj tha se është skeptik që gjyqtari “nuk do të caktonte masën e sigurisë deri në një vendimmarrje në bazë të meritës”.