Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi ishte i pranishëm sot në vendin prej ky fillon ndërtimi i Korridorit 8.
Grubi përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, shkruan se pas tejkalimit të të gjitha procedurave paraprake, tanimë edhe zyrtarisht nisin punimet në terren për kete projekt madhor.
Grubi ndër të tjera shton se koncepti i ri i ndërtimit është garancë për realizim cilësor dhe të shpejtë të projektit Korridori 8 dhe 10D.
Statusi i plotë:
Pas nënshkrimit të marrëveshjes historike me konzorciumin Bechtel & Enka, hudhjes së gurëthemelit dhe miratimit të ndryshimeve ligjore për ndërtim më të shpejtë dhe më të lirë, sot edhe zyrtarisht shënuam fillimin e punimeve në terren për ndërtimin e Korridorit 8.
Bashkë me ministrin për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi mbikqyrëm nga afër fillimin e hulumtimeve gjeo-mekanike që për momentin po realizohen, paralelisht po vijojmë edhe proceset e projektimit, përgatitjes së elaborateve për shpronësim dhe mobilizimit të kompanive që do të përfshihen në ndërtimin e autostradës.
Koncepti i ri i ndërtimit që po e implementojmë bashkë me konzorciumin Bechtel & Enka është garancë e realizimit cilësor dhe më të shpejtë të projektit më të rëndësishëm infrastrukturor në historinë e vendit.