Zyrtari paralel i komunës së Zveçanit, Dragan Nedeljkoviq, në një prononcim për media sot pretendoi se ka një marrëveshje mes Listës Srpska dhe KFOR-it për t’i liruar katër serbët e arrestuar dje për shkak të dhunës që ushtruan gjatë protestës. Po ashtu, ai pretendoi se deri në orën 15:00 pritet tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesa e komunës së Zveçanit.
Por, këto deklarata të tij i ka demantuar Ministria e Brendshme e Kosovës.
Zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se nuk qëndron asnjëra prej kësaj deklarate.
“Nuk qëndron asnjëri lajm në atë artikullin që kanë publikuar më herët”, tha ajo.
Gazeta Express për këtë është në pritje të përgjigjes edhe nga KFOR.
Më herët, Nedeljkoviq, anëtar i Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, pretendoi se mbrëmë ka pasur negociata ndërmjet përfaqësuesve të Listës Serbe dhe komandantit të KFOR-it.
“Rreth orës 21:30 erdhi komandanti i KFOR-it dhe na tha mbrëmë se këta katër që u morën dje në paraburgim do të lirohen, por se po presin që të mbërrijnë letrat nga Prishtina”, kishte pretenduar ai.