Alternativa merr postin e Gërkovskës! Ky ishte titulli që vërshoi portalet mbrëmë duke aluduar se Alternativa mund të bëhet sërish pjesë e Qeverisë. Për këtë shkak reagoi Orhan Murtezani nga kjo parti, i cili në rrjetin e tij social përgënjeshtroi këto lajme. Por cila është arsyeja që sipas Murtezanit këso lloj dezinformatash po plasohen në opinion?
“Aktorët kryesorë në qeveri kanë shumë arsye për t’u frikësuar. Njëra është sigurisht frika nga propozimi i Alternativës për të parandaluar vjetërsimin e veprave penale nga korrupsioni politik. Prandaj, një sërë zyrtarësh të BDI-së dhe LSDM-së po planifikojnë të parandalojnë potencialin për konsolidim të opozitës shqiptare. Megjithatë, asgjë nuk mund t’i ndalë proceset që janë të patjetërsueshme për ndërrimin e qeverisë.”- deklaroi Orhan Murtezani – Alternativa.
Murtezani shton se qytetarët janë të vendosur që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të ndodhin ato, kësaj qeverie t’ia dorëzojnë faturën për qeverisjen e papërgjegjshme, shpërdoruese dhe korruptive duke i vënë pikën mundësisë për rikthimin e tyre në Qeveri.