Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ka pritur në takim ushtruesin e detyrës Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, Otto Graf.
“Në takim u bisedua mbi integrimin evropian, ndryshimet kushtetuese dhe planin e Qeverisë për të arritur synimin këtë vit, me ç’rast Grubi e ka informuar ambasadorin Graf se Qeveria ka draftuar planin zbatues për ndryshimet kushtetuese dhe ka filluar përgaditjet për realizim. Republika Federale e Gjermanisë ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt integrimit evropian dhe reformat në vend. Bashkëbiseduesit gjithashtu diskutuan edhe për reformat e thella në fushën e sundimit të së drejtës, përfshirë këtu dhe realizimin e vettingut si një proces i domosdoshëm për vendin”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Grubit.
Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRO–DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.