Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas takimit që pati me Kurtin, tha se ka mirëpritur marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ka kërkuar nga kryeministri që të punojë me ShBA-në për zbatimin e Asociacionit.
“Ne i mirëpresim të dyja marrëveshjet e arritura. Ne kemi një kërkesë standarde që kryeministri të punojë me ne për zbatimin e Asociacionit”, ka thënë Hovenier para gazetarëve.
Ai theksoi se pritjet e ShBA-së mbesin të njëjta, zbatimi i të gjitha marrëveshjeve përfshirë edhe Asociacionin.
“Pritjet e ShBA-së mbesin ato që janë: Të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen përfshirë edhe Asociacionin”, ka shtuar ai.
Ky takim u mbajt pas zhvillimeve të fundit në dilogun Kosovë-Serbi, ku më 18 mars palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të Planit Evropian.
Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të Planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian, por se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin.
Kurti ka thënë se i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.