Po punohet intensivisht me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe tashmë janë bërë rregullime të caktuara. Do të fillojë edhe komunikimi në mes të Sektorëve tona të Punëve të Brendshme dhe institucioneve arsimore, sepse të gjithë duhet të veprojmë së bashku për të arritur një zgjidhje në të cilën nxënësit do të jenë të sigurt dhe procesi mësimor do të zhvillohet i sigurt, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në lidhje me kërcënimet me bombë në shkollë.
I pyetur nëse mendon për vendosjen e sigurisë 24 orëshe në shkolla, Spasovski informoi se sot është miratuar akt i veçantë në fushën e terrorizmit, sepse ai i mëparshmi është i vjetëruar dhe sipas këtij akti nga nesër do të fillojnë aktivitete të reja. Siç tha ai, për nesër tashmë janë miratuar udhëzime të caktuara.
Ai shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme tashmë i siguron të gjitha shkollat 24 orë në ditë, por sipas aktit të ri, do të duhet të merren masa të caktuara menjëherë pas raportimit për bombë dhe siç tha, nuk do të ketë devijime nga kjo.
“Ky nuk është një aktivitet që mund të përballet vetëm MPB-ja. Ky është një aktivitet me të cilin duhet të përballen të gjitha institucionet dhe për këtë është formuar një ekip pune në kuadër të Qeverisë, i cili përfshin institucionet – Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, Agjencinë e Inteligjencës, Agjencinë e Komunikimeve Elektronike dhe secila ka aktivitetet e veta që duhet të ndërmerren në këtë pjesë. Në këtë periudhë kemi punuar intensivisht dhe sot kemi miratuar një udhëzim të veçantë, përkatësisht një akt të veçantë, i cili është në përputhje me rrethanat aktuale, sepse ka pasur një udhëzim të vjetëruar në fushën e terrorizmit. Sipas atij udhëzimi do të fillojmë me aktivitete të reja, tha Spasovski gjatë vizitës së policëve të cilët janë pjesë e patrullës së trafikut në bulevardin “Bosna e Hercegovina” në Shkup, në përgjigje të pyetjes së gazetarit.
Siç theksoi, po kërkohen zgjidhje edhe për zgjidhjen e gjithë situatës lidhur me kërcënimet me bomba, dhe theksoi se ajo që u miratua sot si akt do të jetë pjesë e zgjidhjes së procesit.
“Të gjitha institucionet duhet të marrin pjesë në këtë proces. Ne i jemi drejtuar me shkrim institucioneve të caktuara me pyetjen se çfarë masash kanë marrë nga ajo që është në kompetencë të tyre. Presim që ata të japin përgjigje. Nëse ka institucione që nuk kanë ndërmarrë aktivitete të caktuara në kompetencën e tyre, ndërsa kanë qenë të obliguara t’i ndërmarrin, do ta informojmë edhe Prokurorinë Publike. Kjo betejë është beteja e të gjithëve në institucione dhe të gjithë duhet të punojmë së bashku, sepse nëse është kërcënim terrorist, atëherë të gjithë duhet të jemi në luftë kundër terrorizmit. Për ne në radhë të parë është siguria e nxënësve dhe stafit mësimdhënës”, theksoi Spasovski.