9.9 C
Tetovo
E shtunë, 1 Mars, 2025
BallinaLajme“Dega e Çairit, 3 vjet pa asnjë mbledhje”, Ganiu dhe Mexhiti akuzohen...

“Dega e Çairit, 3 vjet pa asnjë mbledhje”, Ganiu dhe Mexhiti akuzohen nga bashkëpartiakët

Jemi të shqetësuar dhe brengosur nga rrethanat në strukturat tona lokale për arsye se, që nga zgjedhja e Degës në Çair e deri më sot, nuk është mbajtur asnjë mbledhje e degës në 3 vitet e fundit dhe nuk është shqyrtuar as zbatimi i programit të premtuar zgjedhor lokal e qëndror e as që janë thirrur në përgjegjësi funksionarët për punët e zbatuara ose të parealizuara… Kështu shkruhet në letrën e dy nënkryetarëve, dy sekretarëve, anëtarë të Degës së BDI-së në Çair, ndërsa është firmosur edhe nga zyrtarë tjerë në Qeveri dhe drejtori të ardhur pikërisht nga Dega e Çairit, ndërsa akuzojnë kryetarin e Komunës, Visar Ganiu dhe kryetarin e Degës, Izet Mexhiti se po bëjnë politikë jashtë BDI-së, si dhe përçarje brenda strukturave të partisë, shkruan gazeta KOHA.
“Thellë të dëshpëruar nga reagimet publike individuale të kryetarit të Komunës Çair, distancohemi nga fjalori i përdorur ofendues dhe tentativa për përvetësime dhe instalim të përçarjes dhe bëjmë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të keqpërdorimit të pozitës për agjenda individuale që nuk janë në vijë me liderin Ali Ahmetin dhe Bashkimin Demokratik për Integrim”, akuzojnë krerë të lartë të Degës dhe zyrtarë tjerë nga Dega e BDI-së në Çair.
Përplasjet mes anëtarëve të Degës së Çairit kanë ardhur pasi dje, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu akuzoi rëndë zv.kryeministrin Artan Grubi për neglizhencë në Komunen e Çairit, ndërsa e demantoi se Qeveria dh Grubi ka dorë në ndërtimin e çerdhes për fëmijë në Çair.
Ganiu, pjesë Grupit të Zjarrit, nga ana tjetër është në vëmendjen e opinionit pasi ditë më parë, Antikorrupsioni kërkoi të hetohet puna e tij si kryetar i Çairit, konkretisht për moszbatimin e ligjit për ndërtim dhe lejimin e ndërtimeve pa leje në territorin e kësaj komune.

LETRA E PLOTË E ZYRTARËVE TË DEGËS SË BDI-së NË ÇAIR:

Bashkimi Demokratik për Integrim është thesar kombëtar i shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e veriut dhe autore e lirisë, barazisë, integrimit dhe zhvillimit bashkë me të gjitha proektet kombëtare, rajonale, ndërkombëtare, infrastrukturore, zhvillimore, arsimore, kulturore, sociale, shëndetësore, etj, në vendin tonë.
Të gjitha këto të arritura janë realizuar me kontributin tonë të përbashkët dhe veprimit si një në fushata zgjedhore dhe në zbatim të premtimeve dhe programeve zgjedhore.
Në çdo cikël zgjedhor, fitorja është siguruar nga qytetarët me punën tonë të përbashkët dhe kontributin e gjithësecilit nga aktivistët e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair.
Ne, të poshtënënshkruarit, anëtarë të lartë të degës së BDI në Çair dhe organeve tjera lokale e qëndrore partiake, jemi të shqetësuar dhe brengosur nga rrethanat në strukturat tona lokale për arsye se që nga zgjedhja e degës e gjer më sot, nuk është mbajtur asnjë mbledhje e degës në 3 vitet e fundit dhe nuk është shqyrtuar as zbatimi i programit të premtuar zgjedhor lokal e qëndror e as që janë thirrur në përgjegjësi funksionarët për punët e zbatuara ose të parealizuara.
Të gjitha projektet kanë vulën e secilit prej nesh dhe janë bërë bashkërisht, sepse të vetëm nuk mund të bëjmë asnjë gjë dhe këtë na e ka mundësuar BDI dhe lideri Ali Ahmeti.
Çdo shërbim ndaj qytetarëve, çdo projekt, kemi patur mundësinë ta adresojmë dhe realizojmë vetëm e vetëm se na është deleguar mundësia nga lideri i BDI-së z. Ali Ahmeti
Andaj, thellë të dëshpëruar nga reagimet publike individuale të kryetarit të komunës Çair, distancohemi nga fjalori i përdorur ofendues dhe tentativa për përvetësime dhe instalim të përçarjes dhe bëjmë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të keqpërdorimit të pozitës për agjenda individuale që nuk janë në vijë me liderin Ali Ahmetin dhe Bashkimin Demokratik për Integrim.
Ne, të poshtënënshkruarit jemi të rreshtuar pa ekuivoke pas liderit Ali Ahmeti dhe Bashkimit Demokratik për Integrim dhe bëjmë apel që asnjë individ mos të thirret në emër të degës Çair të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të fitoreve të ngadhnjyera bashkarisht për agjenda personale jashtë përcaktimeve politike dhe programore të liderit tonë Ali Ahmeti dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Me respekt
Nazif Bushi, nënkryetar
Ardian Muça, nënkryetar
Rami Qerimi, sekretar i përgjithshëm, veteran i UÇK-së
Abdylselam Selami, sekretar organizativ
Amella Cana, kryetare e forumit të gruas
Kushtrim Alla, kryetar i forumit rinor
Isa Hoti, anëtar i degës
Besnik Osmani, anëtar i degës
Bujar Osmani, anëtar i kryesisë qëndrore dhe zëdhënës
Nazim Bushi, anëtar i kryesisë qëndrore, veteran i UÇK-së
Bujar Dardhishta, drejtor
Shaip Zeneli, veteran i UÇK-së, zv. drejtor
Ilmi Selami, zv. drejtor
Muharrem Asani, veteran i UÇK-së, zv. drejtor
Ekrem Bunjaku
Mensur Curri, këshilltar në komunën Çair
Enver Bardhi, veteran i UÇK-së
Omer Bunjaku
Muhamet Zaimi, e të tjerë

(koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments