Nuk ka detaje nga bisedimet mes kreut të Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefan dhe Mitropolitit rus Antonij, i cili ka mbërritur një ditë më parë në vend. Kisha Ortodokse Ruse njoftoi sot se Antonij në Shkup ka përcjellë urimet e tij për dhënien e autoqefalisë kanonike Kishës Ortodokse Maqedonase. Takimi u zhvillua dje në selinë e Sinodit, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori rus në vend, Sergej Bazdnikin.
“Në atmosferë dashurie dhe mirëkuptimi vëllazëror, pjesëmarrësit në takim shkëmbyen mendime për situatën aktuale në botën ortodokse, diskutuan perspektivat e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Patriarkanës së Moskës dhe Kishës Ortodokse Maqedonase– Kryepeshkopatës së Ohrit dhe diskutuan për disa tema të tjera me interes të ndërsjellë”, thonë nga Kisha Ortodokse Ruse.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit, presidenti Stevo Pendarovski tha se nuk ka asnjë problem me vizitën e mitropolitit rus, përderisa është në kuadër të çështjeve kishtare.
“Nëse diplomacia kishtare, e cila pa diskutim e dimë se po e përdor Putini, si një nga mjetet e tij në botë për ta arsyetuar luftën në Ukrainë dhe për t’i arsyetuar mizoritë që po i bën atje, atëherë nuk do ta mbështesja këtë, por deri në këtë moment mendoj se takimet kanë qenë vetëm në kuadër të kishës dhe janë diskutuar vetëm çështje kishtare”, deklaroi Stevo Pendarovski– president.
Në nëntor, mitropoliti rus vizitoi Beogradin ndërsa në dhjetor mbërriti në Sofje, ku u prit me protesta pasi hyri në Sinod me ambasadorin rus në Bullgari./Alsat.mk