Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot me këshilltarin special të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Në njoftim në Instagram, Vuçiq tha se kanë pasur një “bisedë kuptimplotë” për dialogun Kosovë – Serbi.
Ai tha se ka mikëpritur SHBA-në për të njohur përpjekjet e Serbisë, siç pretendon ai, për ruajtje të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Vuçiq madje shkon edhe më larg, duke thënë se SHBA-ja duhet ta përdorë ndikimin e saj që Kosova t’i përmbush obligimet e saja në përputhje me marrëveshjet e pranuara dhe të nënshkruara në Bruksel, në këtë rast Asociacionin.
“Shpreha pritjen që SHBA-ja të njohë përpjekjet e vendit tonë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe të përdorë ndikimin e saj të padyshimtë dhe të inkurajojë Prishtinën që të përmbushë obligimet e saj në përputhje me marrëveshjet e pranuara dhe të nënshkruara, por edhe të vazhdoni dialogun në frymën e sinqeritetit dhe shkëmbimit të hapur të propozimeve për zgjidhjen e sfidave konkrete”, shtoi presidenti i Serbisë.
Vizita e Chollet në Beograd është pjesë e turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit ai tashmë ka vizituar Shkupin dhe Prishtinën.
Chollet, të mërkurën ka qëndruar në Kosovë dhe është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, me liderët e partive opozitare, Listën Serbe, gazetarë dhe shoqërinë civile