0.8 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeAGJENSIONI I RINISË DHE SPORTIT ME PADI KUNDËR GJORGJIOSKIT DHE SEJDINIT TË...

AGJENSIONI I RINISË DHE SPORTIT ME PADI KUNDËR GJORGJIOSKIT DHE SEJDINIT TË FFM-së, DYSHOHEN PËR “SHOQËRIM KRIMINAL”

Agjencia për Rini dhe Sport ka dorëzuar padi penale kundër ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Ilço Gjorgjioski dhe kryetarit aktual, Muhamed Sejdini, i cili aso kohe ka qenë nënkryetar. Padi është ngritur edhe ndaj disa anëtarëve të tjerë të Bordit Drejtues, si dhe ndaj njeriut të parë të Gjykatës Administrative, Burim Sejdini. Ata dyshohem për “shoqërim kriminal”, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të hetimit. Në padinë penale, që është dorëzuar në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, thuhet se në periudhën pas 29 korrik të vitit 2012, kryetari i atëhershëm i FFM-së, Gjorgjioski, është zgjedhur në Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme, ku në mënyrë të paligjshme është miratuar propozim-statuti i përgatitur nga grupet punuese të FIFA-s, UEFA-s dhe FFM-së. Ai gjatë zbatimit të tij, e ka ndryshuar përmbajtjen e Statutit dhe ka shtuar Nenin 37 me tekstin në vijim:

“Komisioni për verifikim dhe regjistrim të futbollistëve dhe klubeve të FFM-së – Bordi Redaktues i Makfudbal-it, i verifikon regjistrimet e klubeve dhe lojtarëve, futbollistëve në futboll të vogël dhe futboll për gra dhe i publikon të gjitha vendimet e organeve të FFM-së. Ai Komision përbëhet nga një kryesues, zëvendës-kryesues, dhe tre anëtarë, numri i të cilëve, pas ndryshimit të Nenit 37 rritet për një anëtar plus”, thuhet në tekstin e shtuar të nenit 37.

TV21 kontaktoi drejtorin e Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevskin. Ai refuzoi të flasë para kamerës sonë, kurse në bisedë telefonike konfirmoi se është ngritur padi penale, por megjithatë nuk deshi të zbulojë hollësira, pasi siç thotë, hetimi ende është në procedurë e sipër. Gjatë ditës së sotme, disa herë tentuam të realizojmë kontakt edhe me ish-kryetarin e FFM-së, Ilço Gjorgjioskin, por megjithatë të gjitha tentativat tona nuk rezultuan me sukses.

E kontaktuam edhe kryetarin e tanishëm të FFM-së, Muhamed Sejdinin, por ai gjithë ditën ishte i pakapshëm në celularin e tij.

Kjo nuk është padia e parë penale ndaj ish-kryetarit të FFM-së. Në mars të këtij viti, Drejtoria e Policisë Financiare, deri te Prokuroria e Shkupit dorëzoi padi kundër Gjorgjioskit, nën dyshim për fshehje tatimi, në vlerë prej 1.6 milionë denarëve. Siç kumtoi Policia Financiare, ai me vetëdije ka paraqitur të dhëna të rrejshme dhe të pavërteta në llogarinë përfundimtare për vitin 2017, të cilën e ka dorëzuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Regjistrin Qendror. Pas kësaj, nga FFM-ja dolën me demant dhe përmes një kumtese me shkrim, pohonin se puna e tyre është krejtësisht ligjore, gjë të cilën, siç thonë, e kanë konfirmuar shumë institucione kompetente nga vendi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments