7.2 C
Tetovo
E mërkurë, 24 Prill, 2024
BallinaOpinionIsmail Arsllani / DRITË MBI TË VËRTETËN E ÇEZMËS SË BALEZËS

Ismail Arsllani / DRITË MBI TË VËRTETËN E ÇEZMËS SË BALEZËS

ISMAIL ARSLLANI

-KUSH E PRURI UJËSJELLËSIN E PARË NË TETOVË QË NË VITIN 1814. -Ç’SHKRUAN NË EPIGRAFIN E MERMERTË NË OSMANISHTE TË ÇEZMËS SË BALEZËS QË I REZISTON KOHËS TASHMË DY SHEKUJ. -PREJ NGA E KISHTE PREJARDHJEN FAMILJA ATDHETARE BALEZA, SI DHE DETAJE TË TJERA INTERESANTE, NË VIJIM…

Pinjolli i familjes së lashtë fisnike e atdhetare nga Tetova, Abdylazis Baleza, pas gjurmimeve që i ka bërë për të kaluarën e familjes së tij të njohur ndër tetovarë e më gjerë, edhe për nga prodhimi i armëve në Tetovë (Kallkandelen) ngа koha e pushtetit osman, ofroi të dhëna shumë të vlefshme për prejardhjen dhe trungun e familjes Baleza, për veprimtarinë e pjesëtarëve të familjes brez pas brezi, që është një pjesë e vetë historikut të Tetovës.
Rrëfimin për familjen Baleza, Abdylazizi e fillon me ndërtimin e çezmës së njohur Baleza në lagjen e Çarshisë së Epërme të Tetovës, nga e cila edhe sot tetovarët shuajnë etjen në kalim. Çezma e Balezës është një nga më të vjetrat në qytetin e Tetovës, që është ndërtuar nga vëllezërit Fejzullah dhe Mehmed Baleza, prej nga edhe merr emrin. 
“Gjurmët e familjes Baleza i gjejmë sipas hartës, e cila gjendet edhe sot në Muzeun Kombëtar të Kalasë së Krujës, në katin e dytë, në pjesën ku shpjegohen kështjellat më të rëndësishme të shek. 13-14, të cilat kanë qenë pikat kryesore të mbrojtjes së tokave shqiptare të kohës. Gjeneza e familjes rrjedh nga fisi Baleza, prej të cilit ka marrë emrin edhe Kështjella (Baleseum), siç është quajtur në mesjetë, e cila supozohet të ketë qenë prej 90 shtëpive, ndërsa pas pushtimit të Shkodrës nga ana e armiqve sllavë, fisi shpërngulet për një kohë në Çaje (krahinë e Lumës në fushë Çyle)”, thotë Abdylazizi. 
Diku kah fillimi i viteve 1700, shton ai, supozohet që fisi të jetë vendosur në luginën e Pollogut, sikundër disa familje të tjera shkodrane e shaljane. Shumica e familjeve shqiptare që u vendosën në fushën e Pollogut ishin mjeshtër të artizanaleve të ndryshme. Familja Baleza ka qenë e njohur me mjeshtërinë e prodhimit të armëve, prej të cilave më të njohura kanë qenë “Martina” dhe “Baleza”. Pas vendosjes së punëtorive përreth lumit Shkumbin në Tetovë dhe fillimit të prodhimit të armëve, kjo lagje merr emrin Çarshia e Epërme, ndërsa rruga që shpie nga Teqeja Harabati Baba është quajtur “rruga e Balezave”.
Nga shkaku i trysnive, bastisjeve dhe presioneve të tjera që i kanë bërë Tetovës dhe familjes pushtuesit gjatë viteve, pengesave dhe ndalesave të ndryshme për ndërprerjen e prodhimit të armëve, kjo çështje në familjen Baleza është heshtur dhe nuk është përcjellë brez pas brezi, ndaj dhe informatat janë të mangëta. Vetëm se dihet që armët që janë prodhuar në këto punëtori të Çarshisë së Epërme, përmes tregtarëve të Lumës dhe të tjerëve, janë shitur në Shqipëri, Greqi, Bullgari, Anadoll, Austri dhe në vende të tjera evropiane.
Fejzullah (Fizi) Baleza ka qenë pjesëtar i brezit të tretë të familjes Baleza, që ishte vendosur në fushën e Pollogut, që i përkiste komunitetit mysliman. Në vitin 1824, pas shuarjes së kryengritjes greke nën komandën e ushtrisë së Veli beut, vëllait të Abdurrahman pashës dhe djalit të dytë të Rexhep pashës plak, është nisur ushtria për ta shuar kryengritjen në More, ku marrin pjesë edhe dy djemtë e Fizi Balezës, të cilët do të ngelin të vrarë po në të njëjtën luftë. Pas vdekjes së dy djemve, nga pikëllimi, Fejzullah Baleza braktis prodhimin e armëve dhe fillon me veprimtarinë blegtorale. Me pasurinë e familjes, kanë blerë shumë tokë pjellore në rrafsh, por edhe në bjeshkë, në ngastrat e fshatrave të malësisë Pallçisht, Urviç, Jellovjan dhe Novosellë, ku kanë kullotur mbi 20.000 copë dhen të pronës familjare. 
Sipas një gojëdhëne që është dëgjuar në odat e familjes, Fizi Baleza, në moshë të shtyrë, zotohet se nëse i lind një djalë, do të sjellë ujin në qytet, duke ngritur një çezme për bamirësi, e cila do ta mbajë mbiemrin e familjes Baleza. Gjurmët e ujësjellësit të parë, të cilin e ka sjellë Fizi Baleza në Tetovë, në vitin 1814, që përfundojnë te Çezma e Balezës, edhe sot mund të vërehen. 
Sipas stërnipit të të parëve të familjes Baleza, Abdylazizi, tek i cili brez pas brezi janë përcjellë të dhënat për trungun familjar Baleza, i pari me përkatësi myslimane, i cili ka ardhur dhe është vendosur në kasabanë e Kallkandelenit (Tetovë) në fillim të shek. XVIII, supozohet të ketë qenë Elez Ali Baleza, pas tij vijnë trashëgimtarët Fejzulla Baleza (ndërtuesi i çezmës), Abdyrrahman Baleza, Haxhi Jonuz Baleza, Ilmi Hasan Baleza, Jonuz Baleza (i vrarë nga grupet kaçake në Jallovë të Turqisë, ku ka mbetur e gjithë pasuria, e cila, më vonë, është transferuar në arkën shtetërore të Republikës së Turqisë), Ilmi Hasan Baleza (ka ndërruar jetë në moshën 35 vjeç në Tetovë), Aziz Baleza, Ilmi Hasan Baleza, Abdylazis Baleza dhe Ammar Baleza. 
Në epigrafin e punuar mbi gurin e mermertë tek Çezma e Balezës, që është shkruar në osmanishten e vjetër, është shënuar se “Çezmën e kanë ndërtuar vëllezërit Mehmed dhe Fejzullah Baleza, për bamirësi. Viti i ndërtimit 1814. Në origjinal: (Sahibul hajrat vel hasenat. Bu tekneyi yaptıran Mehmed ve Feyzulah (Baleza). Rahmetulahı aleyna – sene 1236 h).

Image may contain: people standing and outdoor

Foto: Çezma e Balezës në Tetovë nga viti 1814

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments