13.2 C
Tetovo
E premte, 26 Prill, 2024
BallinaLajmeDREJTËSI DO TË NDAHET NË IDRIZOVË. Gjykatorja më e madhe ndërtohet në...

DREJTËSI DO TË NDAHET NË IDRIZOVË. Gjykatorja më e madhe ndërtohet në burg

linku https://www.koha.mk/drejtesi-do-te-ndahet-ne-idrizove-gjykatorja-me-e-madhe-ndertohet-ne-burg/

Jo në ndërtesat e gjykatave aktuale, por në kuadër të kompleksit të burgut të Idrizovës është duke u ndërtuar salla më e madhe gjyqësore në Maqedoninë e Veriut. Me pajisjet bashkëkohore dhe vende të mjaftueshme si për të akuzuar, ashtu edhe për publikun, kjo gjykatore pritet t’i plotësojë nevojat e palëve në proceset gjyqësore, si dhe të vetë institucioneve shtetërore, kryesisht atyre të sigurisë

Omer XHAFERI

Shkup, 27 janar – Gjykatorja më e madhe në Maqedoninë e Veriut nuk do të funksionoj në kuadër të gjykatave të vendit, por në Institucionin Ndëshkues Përmirësues, në Idrizovë. Të gjitha proceset gjyqësor me rrezikshmëri të lartë, pas ndërtimit të kësaj gjykatoreje, do të zhvillohet në kuadër të kompleksit të këtij burgu. Siç mëson gazeta KOHA, punimet për këtë sallë gjyqësore, e cila pritet t’i plotësojë standardet më bashkëkohore, gati sa nuk kanë përfunduar. Madhësia e saj pritet të jetë sa një sallë sportive. Përpos vendeve të mjaftueshme për publikun, të akuzuarit dhe për palët tjera në proces gjyqësor, kjo sallë do të përshtatet edhe për rrëfimet e dëshmitarëve të fshehur (të rrezikuar). Analizat e realizuara nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve (DES), sipas burimeve të gazetës KOHA, kanë konstatuar se kjo sallë do të shërbejë tej mase në procedimin efektiv të lëndëve gjyqësor, duke filluar nga veprat më të lehta penale, e deri tek ato më të rëndat.
“Me ndërtimin e kësaj gjykatoreje do të fitojmë kohë në transportin dhe kthimin e të dyshuarve dhe të akuzuarve. Afërsia e kësaj salle me repartet e burgjeve do të kontribuojë në përmbushjen e parimit të gjykimit në afat të arsyeshëm. Po ashtu, do të zvogëlojë edhe një pjesë të shpenzimeve të DES-it. Përfitimet nga ndërtimi i kësaj gjykatoreje janë të shumta”, thonë burime nga DES-i.
Për momentin, salla më e madhe gjyqësore në vendin tonë funksionon në kuadër të Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, përkundër hapësirës së madhe që ofron kjo sallë, ajo nuk është e furnizuar me pajisje të mjaftueshme që të mundësojë zhvillimin pa pengesa të lëndëve gjyqësore, ku numri i të akuzuarve është i shumtë. Po ashtu, pas ndërtimit të kësaj gjykatoreje në burgun e Idrizovës, analizat e institucioneve shtetërore kanë konstatuar se do të mënjanohet bllokimi i komunikacionit në qendrën e Shkupit, për ato lëndë që vlerësohen me rrezik të lartë. Raste e tilla viteve të fundit kanë qenë të shumta. Megjithatë, pa dyshim proceset gjyqësore për “Lagjen e Trimave” dhe ngjarjet e dhunshme të 27 prillit ishin më të theksuara. Opinionin i gjerë ende i ka të freskëta pamjet e transportit të të akuzuarve për “Lagjen e Trimave”, drejtë Gjykatës Penale të Shkupit, ku përveç krijimit të kaosit në komunikacion, shteti ishte i detyruar të angazhojë një numër të konsiderueshëm të njësive policor, përfshi edhe ato speciale. Paralelisht me masat në tokë, për organizimin e procesit gjyqësor për “Lagjen e Trimave”, shteti vazhdimisht angazhonte edhe mbikëqyrje nga helikopterët. Sipas të dhënave zyrtare të MPB-së, organizimi i një seancë gjyqësore për këtë lëndë atyre ju kushtonte deri në 40 mijë euro. Masa të ngjashme nga policia e shtetit u ndërmorën edhe gjatë organizimit të procesi gjyqësor për 27 prillin.

NË BURGJE KA VEND EDHE PËR 500 TË DËNUAR

Burgjet në Maqedoninë së Veriut kanë vend për edhe 500 të dënuar. Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Jovica Stojanoviq në lidhje me raportin e fundit të EUROSTAT, në të cilin theksohet se në 100 mijë qytetarë në vendin tonë ka 146 të burgosur, thotë se momentalisht, në burgje dënimin e vuajnë 1883 persona, gjegjësisht 13 persona nën kujdes, nga kapaciteti i përgjithshëm prej 2384 shtretërve. Nga ana tjetër, drejtori Stojanoviq, theksoi se momentalisht masën e paraburgimit e kryejnë 291 persona, gjegjësisht kapaciteti total i burgjeve për këtë masë është 396 vende. “Vijojnë ndryshime dhe plotësime të akteve nënligjore të cilat do të na mundësojnë shpërndarje të personave të dënuar në institucionet tjera që të mos kemi mbingarkesë në disa INP”, deklaroi Stojanoviq. Miratimi i Ligjit për amnisti në vitin 2018 dukshëm e uli numrin e të burgosurve dhe kontribuoi në uljen e mbingarkesës në Institucionet Ndëshkuese Përmirësuese në vend. Megjithatë në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit për gjendjen në burgjet theksohet se duhet të kihet parasysh se Ligji për amnisti është zgjidhje ad hok e një problemi sistemor i cili duhet të adresohet përmes funksionimit përfundimtar të shërbimit të provës. Një nga shkaqet të cilin e theksojnë organizatat qytetare për numrin e madh të të burgosurve në Maqedoninë e Veriut, është numri i pamjaftueshëm i shqiptimit të masave alternative nga ana e gjykatave. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments