7.1 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaEkonomiZvogëlohet pesha e bukës me çmim të ngrirë? Fatmir Bytyqi: Thërras Inspektoratin...

Zvogëlohet pesha e bukës me çmim të ngrirë? Fatmir Bytyqi: Thërras Inspektoratin që të sanksionojë

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi nuk druan se pas periudhës së paraparë për çmime të fiksuara të një pjese të produkteve ushqimore, do të kthehet, siç thotë, praktika e vjetër e rritjes artificiale të çmimeve. Nëse kjo ndodhë, porosit se qytetarët do të mbrohen dhe Qeveria nuk do t’i lejojë ta paguajnë çmimin më të lartë.

“Në ekonominë e tregut duhet të sillemi në mënyrë tregu. Tashmë i kemi sinjalet e para pozitive të kompanive se jemi këtu për ta tejkaluar bashkërisht krizën dhe nuk druaj se pas periudhës së fiksimit të çmimeve do të kthehet praktika e vjetër e rritjes artificiale të çmimeve në mënyrën siç ishte bërë në një periudhë të caktuar kohore”, deklaroi Bytyqi duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës së fabrikës në Kumanovë.

Sipas Bytyqit, kompanitë e kanë të qartë se duhet të sillen në mënyrë morale dhe etike në kushte të krizës.

“Ajo që gjatë gjithë kohës bëjmë thirrje se duhet pasur përgjegjësi shoqërore, duhet pasur sjellje morale dhe etike të kompanive në treg, vlerësoj se e kanë totalisht të qartë. Por, nëse ndodhë e kundërta, nëse si Qeveri lejojmë që qytetarët ta paguajnë çmimin më të lartë, ata do të mbrohen”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Ai i bëri thirrje Inspektoratit të Tregut t’i verifikojë informacionet nëse në Kumanovë dhe rrethinën e saj shitet bukë me çmimin e fiksuar prej 33 denarë por me më pak gramë nga seç është përcaktuar me vendimin e Qeverisë.

“Fiksimi i çmimit të bukës prej 450 gramë nga 33 denarë nuk është bërë për t’iu shkaktuar dëm prodhuesve, por për t’i mbrojtur konsumatorët, ndërsa gjithsesi në këtë çmim ka një fitim të caktuar. Nëse ka informacione të tilla i bëj thirrje Inspektoratit të Tregut në Kumanovë dhe rrethinën e Kumanovës të verifikojnë nëse me të vërtetë shitet bukë me më pak gramë, ndërsa me çmim prej 33 denarësh”, deklaroi Bytyqi.

Çdo fiksim i çmimit, qoftë i bukës, vezëve, makaronave … e përsëriti zëvendëskryeministri, nuk është në dëm të kompanive.

“Kompanitë janë të mbrojtura, mbase nuk do të shesin me marzhe të tilla siç do të dëshironin, por gjithsesi kanë marzh të paraparë të çmimit. Janë sjellë dhe do të sillen në interes dhe për mbrojtjen e qytetarëve”, tha Bytyqi.

Me vendimin e Qeverisë, nga 28 shkurti është fiksuar çmimi i bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë prej 450 gramë në 33 denarë, nga 16 marsi edhe çmimet e një pjese të produkteve të qumështit dhe makaronave ku ulja e çmimeve ishte 10 gjegjësisht 15 për qind, ndërsa që dje është fiksuar edhe çmimi i vezëve dhe i orizit në shumën me të cilën janë shitur këto produkte më 15 mars. Çmimi i fiksuar i bukës, makaronave dhe produkteve të qumështit vlen deri në fund të majit, ndërsa i vezëve dhe orizit deri në fund të prillit.

Ministria e Bujqësisë tashmë përgatiti analizë edhe për çmimet e frutave dhe perimeve, ndërsa vendimin do ta marrë Ministria e Ekonomisë në pajtim me Ligjin për Tregtinë.

Vendimet e ardhshme për produkte të reja ushqimore tek të cilat do të intervenohej me çmime të fiksuara, siç deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, varet nga analiza në Ministrinë e Ekonomisë.

“Nëse është ndonjë produkt që i përmbush kushtet atëherë normal se Qeveria do të marrë vendim, nëse nuk ka, Qeveria nuk do të marrë vendim”, tha Kovaçevski.

Odat Ekonomike pardje e porositën Qeverinë të ndalojë me fiksimin e çmimeve dhe të gjejë mekanizma të tjerë për t’i ndihmuar qytetarët siç janë ulja e tatimeve dhe TVSh-së dhe të intervenohet përmes rezervave shtetërore. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nga ana tjetër, potencoi se janë të hapur për të gjitha propozimet konkrete por të qëndrueshme.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments