16.3 C
Tetovo
E enjte, 17 Korrik, 2025
BallinaLajmeZëvendëskryeministri Izet Mexhiti viziton Medresenë “Isa Beu” në Shkup pas miratimit të...

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti viziton Medresenë “Isa Beu” në Shkup pas miratimit të ligjit që e njeh zyrtarisht shkollën pas katër dekadash

Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i shoqëruar nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami dhe Zeqirija Ibrahimi, si dhe nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, vizitoi Medresenë “Isa Beu” në Shkup, dy ditë pas miratimit nga Qeveria të Ligjit për Medresenë “Isa Beu”. Me këtë vendim historik, pas më shumë se katër dekadash, kjo shkollë e mesme fetare përfshihet zyrtarisht në sistemin arsimor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Delegacioni qeveritar u mirëprit nga drejtori i Medresesë, Islam Islami, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir efendi Fetahu, dhe myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili.

“Ne erdhëm këtu për të konstatuar dhe vlerësuar se po eliminohet një diskriminim, një padrejtësi e së kaluarës”, deklaroi zëvendëskryeministri Mexhiti. “Tash e tutje, Medreseja Isa Beu do të trajtohet në mënyrë të barabartë si çdo shkollë tjetër. Për shumë vite, nuk kishim përgjigje përse fëmijët që mbaronin këtë medrese nuk mund të njiheshin me diploma apo të regjistroheshin në fakultete. Me ligjin e miratuar, kjo padrejtësi merr fund. Tani, udhëheqësia e medresesë do të përqendrohet në cilësinë e mësimit dhe kushteve, ndërsa çështjet ligjore janë zgjidhur. Po koordinohemi me kryetarin e Kuvendit, z. Afrim Gashi, që ky ligj të futet në rend dite para pushimeve ose në shtator, në mënyrë që medreseja të frymojë ligjërisht dhe të kontribuojë në rritjen e interesimit dhe cilësisë”, theksoi Mexhiti.

Nga ana e tij, kryetari i BFI-së, Shaqir efendi Fetahu, vlerësoi se ky ligj është kurorëzim i një përpjekjeje më shumë se 40-vjeçare.

“Tani medreseja dhe nxënësit e saj barazohen me të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në vend. Me këtë ligj, pritet të rritet dukshëm interesimi për ndjekjen e kësaj shkolle në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Të gjithë të rinjtë që zgjedhin të ndjekin Medresenë Isa Beu, tashmë kanë siguri se mund të vazhdojnë studimet e tyre në universitete brenda dhe jashtë vendit”, tha ai.

Ndërsa Zeqirija Ibrahimi, sqaroi se ligji do të ketë edhe efekt retroaktiv për gjeneratat e kaluara.

“Edhe nxënësit që e kanë përfunduar më herët medresenë do të kenë mundësi të japin provimet plotësuese që nuk kanë qenë pjesë e planprogramit të mëparshëm dhe më pas të futen në maturën shtetërore e të vazhdojnë në universitetet e vendit”, tha Ibrahimi.

Vizita në medrese dhe kumtimi i lajmit për se kjo shkollë e mesme fetare do të njihet zyrtarisht, shënon një hap të rëndësishëm drejt barazisë arsimore dhe integrimit institucional të arsimit fetar në sistemin shtetëror, duke përmbushur një të drejtë të mohuar për dekada me radhë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments