Nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zeqiri, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka komentuar se BDI dhe VMRO-DPMNE e kanë rinovuar koalicionin kriminel, pasi dje kryetari i Kuvendit, Talat Xhferi e ka ricaktuar seancën për Ligjin për Prokurori Publike, dhe publikisht i ftoi të gjithë liderët që të merren vesh për takim liderësh nëse dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje më 12 prill,
“Talati dhe BDI edhe njëherë e treguan fytyrën e tyre të vërtetë kriminele bashkë me shokët e tyre nga VMRO-DPMNE. BDI dhe VMRO-DPMNE e kanë rinovuar koalicionin kriminel dhe koalicionin e interesave të ngushta të disa qarqeve nga radhët e tyre. TYRP!!!”, shkruajti Zeqiri në Fejsbuk.
Xhaferi mbrëmë në ora 22:00 filloi seancën në të cilën duhej që të diskutohet për propozim-ligjet për Prokurori Publike dhe Këshillin për Prokurorë Publik dhe për shkurt kohë e ndaloi dhe e ricaktoi për sot në ora 11.
Kryetari i Kuvendit u revoltua nga publikimi i sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së Lupço Nikollovski në rrjetin social Fejsbuk. Nikollovski shkruajti se ekziston mundësi reale që partia e tij të krijojë një shumicë të re parlamentare nëse Kuvendi, sipas tij, taktizon me këtë ligj, dhe disa ligje të tjera.
“Nëse Kuvendi vazhdon të taktizojë dhe nëse parandalohet në ndonjë mënyrë votimi për ligjet e rëndësishme, e në veçanti Ligjit për Prokurorinë Publike, Kodit Zgjedhor, Ligji për Mbrojtjen, shkarkimi i Mizrahit … atëherë ekziston mundësi reale ne të krijojmë një shumicë të re parlamentare, dhe më pas një qeveri të re stabile që do të organizojë zgjedhje të rregullta parlamentare. Maqedonia Veriore nuk do të mbahet peng e interesave partiake dhe kriminele, sundimi i ligjit dhe e ardhmja evropiane janë prioritet i qytetarëve dhe ne do të luftojmë deri në atomin e fundit” shkruan Nikollovski.
Ai tha se nëse nuk votohet Ligji, ka mundësi të shtyhen zgjedhjet dhe zgjedhjet e ardhme të jenë në termin të rregullt.
Në këtë Xhaferi u përgjigj që “mos t’i dërgohen mesazhe të tilla në Fejsbuk sepse ai nuk është politikan Fejsbuku.