Partitë opozitare shqiptare nuk e cilësojnë diçka të re lajmin për koalicionin ndërmjet LSDM-së dhe BDI-sl për zgjedhjet e ardhshme lokale. Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka deklaruar se BDI duket se ka pasur frikë që e vetme të përballet me koalicionin e opozitës shqiptare.
Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët
“Nuk e di përse duhet ricilkuar informatat sa herë ata bëjnë koalicione. Ata kanë koalicion, kanë qeverisje. Përfundimisht Ali Ahmeti nuk e pranoi sfidën që të dalin ballë për ballë në zgjedhjet lokale. Ne nga njëra anë dhe ai me partitë shqiptare në anën tjetër. Siç duket ka frikë”
Ndërkohë, nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa deklarojnë se BDI e pranoi humbjen që tani dhe u struk në LSDM, me shpresë që ta lehtësojë pak humbjen dhe ta zbusë diferencën me partitë fituese opozitare shqiptare. Ndërkohë edhe LSDM dëshiron që t’i përziej votat e saj të pakta me ata të BDI-së vetëm e vetëm të mos merret vesh qartë se kush nga këto dy parti në të vërtetë do të jetë humbësi më i madh në këto zgjedhje. /SHENJA/