10.5 C
Tetovo
E shtunë, 11 Maj, 2024
BallinaOpinionXhelal Neziri / Tre arsye pse duhet të zvoglohet numri i deputetëve

Xhelal Neziri / Tre arsye pse duhet të zvoglohet numri i deputetëve

Të gjithë pajtohen se nevojitet ndryshim i Kodit Zgjedhor, por ai ndryshim assesi të ndodhë. Derisa ishte në opozite LSDM-ja premtonte se do të shndërrojë Maqedoninë e Veriut në një njësi zgjedhore, me modelin e listave të hapura dhe me një numër të deputetëve jo më shumë se 90. Të njëjtën gjë tash e kërkon VMRO-DPMNE, e cila derisa ishte në pushtet nuk e pranoi propozimin e opozitës së atëhershme, e cila nga 2017 mban pushtetin aktual.

Të gjitha debatet dhe propozimet burojnë nga interesat e ngushta partiake. Përllogariten se cila parti sa deputetë mund të fitojë, varësisht nga lëvizjet e mbështetjes në teren. Megjithatë, sikur lihet anash interesi i qytetarëve, të cilët përfaqësohen në Parlament nga deputetët që do të zgjidhen me një Kod të ri zgjedhor. Partitë, të uritura për sa më shumë funksione, duket se harrojnë qëllimin thelbësor të ekzistencës së tyre. Sasia e funksioneve për ato është më e rëndësishme sesa cilësia e përfaqësimit. Në rastin e numrit të deputetëve, është dëshmuar se sasia nuk sjell cilësi. Numri i madh i deputetëve më shumë shihet si statistikë që i jep fuqi një partie, ku deputeti si individ dhe kompetenca e tij është e parëndësishme bashkë me kualitetin e përfaqësimit të qytetarëve.

Andaj, ka tre arsye të fuqishme pse duhet zvogëluar numri i deputetëve nga 120, sa është aktualisht, në 90.

E para ka të bëjë me zvogëlimin e shpenzimeve dhe përdorimin e tyre për projekte konkrete në dobi të qytetarit. Rroga mujore e një të zgjedhuri të popullit është afërsisht një mijë euro, por kjo është vetëm baza. Aty shtohen edhe mëditjet nga seancat e komisioneve apo edhe pagesa shtesë nëse ndonjëri është kryesues. Në total, një deputet mesatarisht merr afër 160 mijë euro në vit nga arka shtetërore. Nëse llogariten edhe 40 mijë eurot në vit që mesatarisht merr si shpenzime për rrugë, atëherë çdo deputet në total i kushton shtetit 200 mijë euro në vit. Kjo i bie se brenda një mandati katërvjeçar një deputet nga arka e shtetit thith rreth 800 mijë euro. Në këtë mënyrë, me 30 deputetë më pak do të kurseheshin plot 24 milionë euro para të qytetarëve gjatë një mandati katërvjeçar. Këto mjete do të ishin shfrytëzuar, për shembull, për rinovimin apo ndërtimin e dhjetëra spitaleve, shkollave apo rrugëve.

E dyta, do të rritet kualiteti i përfaqësimit me kandidatin e kuadrove kompetentë dhe të përgatitur. Në bazë të monitorimeve të punës së parlamentit, vetëm 35 përqind e tyre janë aktiv me diskutime, propozim ligjesh e amendamentesh, pyetje deputetësh apo aktivitete në komisionet parlamentare. Pjesa tjetër ngelet e panjohur për publikun, duke shërbyer vetëm si makineri votimi e dirigjuar nga qendrat e fuqisë politike.

E treta, vendi do të forcojë rolin e deputetit pasi në atë mënyrë do të përfaqësojë më shumë qytetarë në institucionin më të lartë ligjvënës. Aktualisht, Maqedonia e Veriut me 1.8 milionë banorë ka 7 deputetë në 100 mijë banorë. Kjo i bie se çdo deputet është zgjedhur të përfaqësojë dhe mbrojë në Parlament interesat e 15 mijë qytetarëve. Me këtë vendi është në majë të listës me numrin e deputetëve. Në të njëjtën gjendje është vetëm Kosova, e cila ka poashtu 120 deputetë, ndërkohë që numëron 1.7 milionë banorë. Për dallim nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria ka 5 deputetë në 100 mijë banorë, Serbia 4, Kroacia 4, Bullgaria 3, kurse Gjermania, Franca dhe Turqia kanë nga 1 deputet në 100 mijë banorë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments