Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka thanë sot se të gjithë në Serbi po bahen si të marrë sa i përket çashtjes së Kosovës. Këto deklarata ai ka ba derisa ka komentue qëndrimin e Kishës Serbe, se ‘nuk do të njohin pamvarësinë e Kosovës dhe nuk kemi me lejue ndamjen e Kosovës’.
Vucic ka thanë se nuk pret nji qëndrim tjetër nga Kisha, dhe se ka me respektue atë.
Megjithatë, ai ka thanë se duhet ballafaque me realitetin, tue folë rreth asaj që Serbia e konsideron Kaçanikun si ‘zemra e Serbisë’.
Ai ka thanë se nji gja e tillë thuhet, megjithatë nji pyetje që nuk mund t’i jep përgjigje, asht nëse mundet me shkue dikush sot në Kaçanik e me hap nji institucion serb.
Ai ka shtue se e din kundër çkaje janë të gjithë në vendin e tij, ndërsa asht ankue se ende nga askush nuk ka ndigjue çka asht ajo e që të ketë lidhje me realitetin.
“Po ndigjoj vetëm fjalë se Kaçaniku asht zemra e Serbisë. A mundeni me shkue atje e me hapë naj institucion serb? Përgjigje në këtë pyetje nuk ka. Do të presim me vjet, do të presim pesë milionë vjet. Meqë të gjithë po bahen të marrë në Europë, në botë, edhe shqiptarët, edhe na, edhe unë kam me u ba si i marrë. Duket se politika e tillë ecë mirë. Edhe unë kam me u ba i marrë dhe kam me pushue nga shantazhet, kërcënimet, presionet. Fakti se do të humbim para, investorë, rrugë dhe shumë gjana të tjera, mos më pyesni mue për këto. Po e them këtë, sepse po e zhvillojmë “politikën e te bamit si i marrë”, ka thanë ai.