Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, është zotuar të formuar atë që ai e cilësoi si “një brez të devotshëm” të nacionalistëve të rinj turq, që do të ishin besnikë ndaj vlerave tradicionale islame. Por nga ana tjetër, analistët thonë se sigurimi i mbështetjes mes votuesve të rinj mund të jetë sfida e tij më e madhe para zgjedhjeve të vitit 2023.
Në Beshiktash, lagjia qendrore e Stambollit, tifozët meshkuj të futbollit dhe protestueset feministe përzihen të shqetësuar. Por në këtë kohë trazirash ekonomike dhe kufizimeve të ashpra ndaj lirive individuale, ata kanë më shumë të përbashkëta se sa duket. Si pjesëtarë të brezit të ri, ata ndihen nën presion.
Studentja 20 vjeçare, Sila thotë për Zërin e Amerikës se është e shqetësuar se çfarë do të thotë për të shtytja drejt një shoqërie më tradicionale.
“I ndiejmë thellësisht efektet e krizës ekonomike, por në të njëjtën kohë si të reja, ndjejmë presionin në rritje në jetën tonë.”
Inflacioni është në rritje dhe papunësia mes të rinjve është afro 30 %. Mustafa, një shitës ambulant 21-vjeçar, thotë për Zërin e Amerikës se shpreson për ndryshim.
“Aktualisht çështja kryesore në Turqi është ekonomia. Paraja vazhdon të humbasë vlerë dhe ekonomia po përkeqësohet. Nuk mendoj se situata do të përmirësohet shpejt nëse nuk ndryshon qeveria. Kemi të njëjtën qeveri prej 18 vjetësh.”
Një anketë e kohëve të fundit tregon se të rinjtë janë të pakënaqur, jo vetëm me ekonominë por edhe me kufizimet në rritje të lirisë së shprehjes dhe sundimin autoritar.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës në Stamboll, Can Selcuki i cili drejton kompaninë e sondazheve “Istanbul Economics Research” thotë se sondazhi vë në dukje pakënaqësitë mes të rinjëve.
“Shpresat e tyre për të ardhmen janë fashitur ndaj u shprehën të pakënaqur ndaj sistemit aktual. Ata nuk kërkojnë një shpëtimtar, dhe kjo dallon nga prindërit e tyre, sepse të rinjtë e shohin veten si shpëtimtarë. Duan të jenë pjesë e shoqërisë civile, duan të ofrojnë zgjidhjet e tyre.”
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është zotuar të krijojë një brez besnik të devotshëm duke zgjeruar shkollat fetare. Të rinjtë turq janë rritur në një kohë kur mediumet kryesore kontrollohen nga mbështetësit e Edroganit.
Por ata mbështeten më shumë tek mediat sociale. Perceptimi i votuesve të rinj është se qeveria nuk po trajton çështje kritike, duke u bërë pengesë për aspiratat e Erdoganit – thonë disa analistë.
Demet Lukuslu, profesore në Universitetin Yeditepe, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.
“Është e vështirë të kontrollosh tërësisht të gjithë popullsinë. Por edhe problemet e brezit të ri qëndrojnë, siç janë problemet e sistemit arsimor dhe papunësia.”
Mbështetja e të rinjve për politikanin karizmatik të qendrës së majtë, Ekrem Imamoglu, në zgjedhjet për kryebashkiak të Stambollit dy vjet më parë, ndihmoi për t’i dhënë fund sundimit 25 vjeçar të partisë së Edroganit në atë qytet.
Presidenti Erdogan ka postuar video në mediat sociale dhe ka mbajtur takime me të rinjtë si pjesë e një përpjekjeje për të fituar mbështetjen e tyre. Por anketat tregojnë se të rinjtë janë skeptikë jo vetëm ndaj Erdoganit por ndaj të gjitha partive politike, që do të thotë se udhëheqësit opozitarë kanë shumë punë për të bërë për të tërhequr votuesit e rinj.