Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, e akuzon ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani se u jep tenderë të afërmve të partisë së tij. Nga OBRM-PDUKM thonë se 1.8 milionë euro do të përfundojnë në xhepin e Elmedin Ademit, nipit të ish-ministrit të BDI-së, Abdilaqim Ademit, për ripërshtatjen e qendrës sportive Boris Trajkovski për Samitin e krerëve të shteteve të vendeve anëtare të OSBE-së.
Nga OBRM-PDUKM theksojnë se e njëjta kompani ka marrë 2 milionë euro për ndërtimin e stacionit policor në Aeroport, si dhe tenderin për rikonstruksionin dhe ndërrimin e objekteve për Universitetin “Nënë Tereza”.
“Një zgjerim real i tenderëve të pranuar nga institucionet shtetërore është përjetuar që nga viti 2017, pasi LSDM dhe BDI janë në pushtet. Ministria e Punëve të Jashtme jep 1.8 milionë euro për karrige dhe pajisje dhe askush nuk e di se ku do të përfundojnë ato pajisje pas përfundimit të Samitit të krerëve të vendeve anëtare të OSBE-së.
BDI kujdeset për nipërit e ish-funksionarëve dhe aktualë”, theksojnë ata.“Ka dyshime të rënda për krim. Kompania bën donacion për BDI-në dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Osmani i japin tender. Prokuroria Publike të hap menjëherë hetim nëse tenderi i dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme në vlerë prej 1.8 milionë euro është dhënë në shenjë falënderimi për donacionin e dhënë nga Eurovia SHPKNJ për BDI-në? Dhe a janë në fakt paratë nga tenderi i MPJ-së kthim i donacionit, që do të thotë se BDI financohet nga paratë e shtetit? Përgjegjësia do të vijë shumë shpejt”, thuhet në njoftim.